Reshjet intensive të shiut gjatë orëve të natës kanë sjellë probleme në disa zona të qytetit të Lezhës, duke krijuar vështirësi për banorët dhe qarkullimin e përditshëm.
Situata më problematike raportohet në lagjen “Besëlidhja”, si edhe në disa hyrje shkollash, ku uji i grumbulluar ka arritur disa centimetra. Kjo gjendje ka vështirësuar lëvizjen e këmbësorëve, veçanërisht të nxënësve, si edhe qarkullimin e mjeteve në këto zona.
Grumbullimi i ujit ka ardhur si pasojë e reshjeve të dendura, ndërsa deri në këto momente nuk raportohen dëme materiale. Megjithatë, situata ka shkaktuar shqetësim te banorët dhe prindërit, të cilët kërkojnë zgjidhje të qëndrueshme për raste të tilla.
Autoritetet vendore bëjnë të ditur se kjo problematikë pritet të marrë zgjidhje përfundimtare me përfundimin e projektit të rehabilitimit të rrjetit të ujërave të bardha dhe të zeza, i cili po zbatohet prej disa muajsh në qytet dhe synon të parandalojë përmbytjet në raste reshjesh intensive.
