Ndryshim i madh për bizneset dhe qytetarët: Dhurimi i ushqimeve drejt përjashtimit nga taksat, sot paguhet TVSH dhe tatim!

Data

Dhurimi i ushqimeve në Shqipëri pritet të hyjë në një fazë të re lehtësimi fiskal, teksa autoritetet po përgatisin ndryshime ligjore që synojnë përjashtimin e plotë nga TVSH-ja dhe tatimi mbi të ardhurat për produktet ushqimore të dhuruara. Aktualisht, kjo praktikë penalizon bizneset dhe nxit rritjen e mbetjeve ushqimore.

Sot, produktet ushqimore që i afrohen datës së skadencës trajtohen në dy mënyra:

  • ose lihen të skadojnë dhe asgjësohen, pa paguar taksa;
  • ose dhurohen, por në këtë rast biznesi paguan TVSH dhe tatim mbi të ardhurat.

Kjo situatë krijon një paradoks të qartë: për shumë biznese është më e lirë ta hedhin ushqimin sesa ta dhurojnë, duke mos nxitur solidaritetin social dhe duke rritur ndjeshëm mbetjet ushqimore.

Ky problem theksohet edhe në Programin Kombëtar për Parandalimin e Krijimit të Mbetjeve, ku nënvizohet se një ndërhyrje ligjore për lehtësimin e dhurimit të ushqimit do të kishte ndikim pozitiv si për mjedisin, ashtu edhe për shtresat në nevojë.

“Praktika aktuale tregon se për shkak të TVSH-së, shpesh është më e lirë për bizneset të hedhin ushqimin sesa ta rishpërndajnë atë,” thuhet në dokument.

Në përputhje me direktivën e re të Bashkimit Europian për reduktimin e mbetjeve ushqimore dhe rishpërndarjen e ushqimit të tepërt për konsum njerëzor, parashikohet ndryshimi i ligjit për TVSH-në dhe ligjit për tatimin mbi të ardhurat, me qëllim përjashtimin e dhurimeve të ushqimit nga çdo barrë tatimore.

Dhurimi i ushqimit në pikat sociale është pjesë e objektivit për uljen e mbetjeve ushqimore me 30% në nivelin e shitjes me pakicë deri në vitin 2035.

Dokumenti sjell në vëmendje edhe praktikat e vendeve të BE-së, të cilat kanë investuar në skema të posaçme për nxitjen e dhurimit. Në këtë kuadër përmendet edhe Banka e Ushqimit në Shqipëri, pjesë e Federatës Europiane të Bankave të Ushqimit, e cila u mundëson bizneseve të bashkëpunojnë për shpërndarjen e ushqimit te njerëzit në nevojë.

“Këto qasje ndihmojnë në devijimin e ushqimit të konsumueshëm nga landfill-et dhe përdorimin e tij për qëllime sociale. Megjithatë, Shqipëria ende nuk ka një kuadër ligjor të posaçëm për nxitjen e dhurimeve të ushqimit,” theksohet në program.

Nëse ndryshimet ligjore miratohen, dhurimi i ushqimeve nuk do të jetë më barrë financiare për bizneset, por një praktikë e nxitur dhe e mbështetur nga shteti, me përfitime të drejtpërdrejta sociale, ekonomike dhe mjedisore.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related