Azilkërkuesit që mbërrijnë në Britaninë e Madhe përmes Kanalit të La Manshit do të përballen me masa të reja dhe të ashpra sigurie, sipas të cilave autoritetet do t’u konfiskojnë telefonat celularë dhe kartat SIM menjëherë pas mbërritjes.
Pa arrest, pa urdhër gjykate dhe pa një proces paraprak ligjor, emigrantët do të detyrohen të dorëzojnë pajisjet elektronike sapo të hyjnë në territorin britanik. Më pas, ata do të transferohen në qendrën e përpunimit Manston, në Kent.
Autoritetet do të kenë të drejtë të kontrollojnë pajisjet elektronike, rrobat e jashtme dhe, në disa raste, edhe trupin për karta SIM apo pajisje të fshehura. Ende nuk është bërë e qartë nëse këto masa do të zbatohen edhe ndaj fëmijëve.
Qëllimi i kësaj nisme, sipas qeverisë britanike, është mbledhja e informacionit për rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore që organizojnë kalimet e paligjshme përmes Kanalit. Masat janë pjesë e strategjisë për frenimin e emigracionit të parregullt dhe parashikojnë dënime deri në 14 vite burg për trafikantët.
Vendimi ka ngjallur reagime të forta nga organizatat e të drejtave të njeriut. Organizata “Freedom from Torture” e ka cilësuar masën si thellësisht çnjerëzore dhe traumatizuese, duke theksuar se emigrantët po përballen me kontrolle invazive menjëherë pas një udhëtimi të rrezikshëm dhe shpesh traumatik.
Avokatë që përfaqësojnë azilkërkuesit kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e praktikës, duke paralajmëruar se konfiskimi i pajisjeve pa mbikëqyrje të pavarur mund të bie ndesh me vendime të mëparshme të gjykatave britanike.
Nga ana tjetër, qeveria britanike këmbëngul se masat janë të nevojshme për sigurinë kombëtare dhe për goditjen e bandave kriminale. Vetëm gjatë vitit 2025, mbi 41 mijë migrantë kanë mbërritur në Britaninë e Madhe përmes Kanalit të La Manshit, një nga shifrat më të larta të regjistruara ndonjëherë.
Masat e reja janë pjesë e ligjit për sigurinë kufitare, azilin dhe emigracionin, i miratuar në fund të vitit të kaluar, që zgjeron ndjeshëm kompetencat e autoriteteve britanike.
