Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj, ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me dosjen e SPAK ndaj biznesmenit Ergys Agasi, duke publikuar edhe një video të mëparshme të kryeministrit Edi Rama, ku ky i fundit e mbronte Agasin përballë një gazetari italian.
Shehaj thekson se, pas zbardhjes së hetimeve, bëhet e qartë roli që sipas tij Agasi kishte në prapaskenë, duke kontrolluar administratën shtetërore dhe duke marrë vendime kyçe për tendera dhe afera publike.
Sipas Shehajt, reagimi nervoz i kryeministrit në intervistën me gazetarin italian tashmë merr një kuptim tjetër, pasi Agasi ishte projektuar si “njeriu në hije”, pa funksion zyrtar, por me pushtet real mbi institucionet.
“Prandaj të gjithë shkonin dhe jepnin llogari te Agasi, merrnin urdhra prej tij dhe koordinoheshin nga ai. Ai ishte njeriu kyç i Edi Ramës, ‘njeriu-hije’ që nuk duhej të njihej nga publiku, por që kishte pushtet të jashtëzakonshëm”, shprehet Shehaj.
Ai shton se një figurë e tillë shërbente për të mbajtur larg përgjegjësinë direkte të kryeministrit nga vendimmarrjet e dyshimta.
“Nuk mund të ishte kryeministri që t’u jepte urdhra drejtorëve apo ministrave për tendera. Për këtë arsye ishte ndërtuar ‘njeriu-hije’”, thekson kreu i Partisë Mundësia.
Shehaj shprehet se sot kuptohet pse kryeministri ka zgjedhur të heshtë për këtë çështje, ndërsa sipas tij është zbuluar se sa i madh ishte pushteti real i Agasit dhe për llogari të kujt ai vepronte.
“Imagjinoni një njeri pa asnjë post zyrtar që kontrollon administratën, të dhënat e qytetarëve dhe vendimmarrjen shtetërore. Kjo është arsyeja pse kryeministri ka kyçur gojën”, deklaron ai.
Në përfundim, Shehaj kërkon dorëheqjen e menjëhershme të kryeministrit dhe mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.
“Edi Rama nuk mund të vazhdojë më të jetë kryeministër. Duhet të largohet sa më shpejt dhe vendi të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, përfundon Shehaj.
