Një nga figurat më të errëta të aparatit shtetëror venezuelian pritet të shndërrohet në dëshmitarin kyç kundër regjimit të Nicolas Maduros. Bëhet fjalë për Hugo Armando Carvajal Barrios, ish-gjeneral dhe ish-drejtor i shërbimeve sekrete të Venezuelës, i njohur me nofkën “El Pollo”.
Carvajal Barrios, dikur një nga njerëzit më të besuar të Hugo Chavez dhe më pas të vetë Maduros, u deklarua fajtor në Shtetet e Bashkuara për akuza të rënda që përfshijnë trafik droge, narko-terrorizëm dhe bashkëpunim me organizata kriminale ndërkombëtare. Sipas burimeve amerikane, ai konsiderohet dëshmitari kryesor që mund të lidhë drejtpërdrejt kreun e shtetit venezuelian me rrjetet e trafikut të drogës dhe armëve.
I lindur në vitin 1960 në Puerto La Cruz, Carvajal Barrios u ngjit shpejt në hierarkinë ushtarake. Në vitin 1992 ai ishte një nga mbështetësit kryesorë të grushtit të dështuar të shtetit të udhëhequr nga Hugo Chavez. Pas ardhjes së Chavez në pushtet, “El Pollo” u shpërblye duke u emëruar në krye të shërbimit sekret venezuelian, një pozicion që i dha kontroll të plotë mbi aparatin e inteligjencës dhe sigurisë.
Sipas akuzave të ngritura nga autoritetet amerikane, gjatë kësaj periudhe Carvajal Barrios ka luajtur një rol kyç në organizimin e trafikut të drogës drejt SHBA-së, duke bashkëpunuar me kartele të fuqishme dhe grupe guerile. Hetimet pretendojnë se ai ishte i përfshirë në transportin e disa tonëve kokainë, si dhe në furnizimin me armë të grupeve kriminale.
Pas vdekjes së Chavez, ai mbeti pjesë e elitës së pushtetit dhe u përfshi edhe në politikë si deputet pro-Maduro. Megjithatë, në vitin 2019, në kulmin e krizës ekonomike dhe politike në Venezuelë, Carvajal Barrios ndryshoi qëndrim dhe u rreshtua kundër Maduros. Ky veprim u konsiderua tradhti nga regjimi dhe shënoi fundin e mbrojtjes politike për të.
I shpallur në kërkim ndërkombëtar, “El Pollo” u arrestua në Spanjë dhe më pas u ekstradua në Shtetet e Bashkuara, ku në vitin 2025 pranoi fajësinë për të gjitha akuzat. Dënimi i tij ende nuk është finalizuar, çka sipas burimeve lidhet me bashkëpunimin e tij të plotë me drejtësinë amerikane.
Tashmë, dëshmia e Carvajal Barrios pritet të jetë një nga goditjet më të forta ligjore ndaj regjimit venezuelian, pasi ai konsiderohet njeriu që njeh nga brenda mekanizmat e pushtetit, lidhjet me krimin e organizuar dhe rolin personal të Maduros në këtë strukturë.
