Kryeministri Edi Rama është ndër të paktët liderë europianë që ka zgjedhur të heshtë pas arrestimit të presidentit venezuelian Nicolas Maduro nga forcat speciale amerikane, me urdhër të presidentit Donald Trump. Një operacion që Uashingtoni e ka cilësuar si goditje ndaj narko-terrorizmit, shkatërrimit të demokracisë dhe persekutimit politik.
Heshtja e Ramës bie në kontrast të fortë me qëndrimet e tij të mëparshme publike ndaj Donald Trump. Në kohën kur Trump ishte kandidat për president të SHBA-së, Rama u bë lideri i parë europian që e sulmoi hapur dhe pa diplomaci, duke e quajtur atë një “kërcënim për Amerikën” dhe për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane.
“Mos e dhashtë Zoti që Amerika ta zgjedhë Trump për president. Donald Trump është kërcënim për Amerikën dhe kërcënim real për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane”, deklaronte Rama në atë kohë.
Këto qëndrime u shoqëruan edhe me tone tallëse dhe ironike ndaj Trump, të përsëritura më vonë në forume ndërkombëtare, përfshirë edhe në prani të liderëve europianë si presidenti francez Emmanuel Macron.
Por në ditën e arrestimit të Maduros, administrata amerikane dërgoi një mesazh të qartë dhe të prerë për të gjithë liderët botërorë që tentojnë të “luajnë lojëra” me Shtetet e Bashkuara dhe presidentin e saj.
Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, gjatë një konference për shtyp, theksoi se Donald Trump nuk është një president që paralajmëron pa vepruar. Ai e përshkroi Trumpin si një lider të vendimeve konkrete, që nuk toleron sfida ndaj interesave dhe sigurisë kombëtare amerikane.
Rubio deklaroi se Nicolas Maduro kishte pasur shumë mundësi për ta shmangur këtë fund, përmes rrugëve paqësore dhe ofertave që i ishin vënë në dispozicion, por kishte zgjedhur të sfidonte drejtpërdrejt SHBA-në.
“Sot ka shumë persona në botë që mendojnë se mund të bëjnë lojëra, të konfiskojnë kompani amerikane, të dërgojnë bandat e tyre në vendin tonë dhe të mos përballen me pasoja. Mesazhi është i qartë: kemi një president që nuk bën lojëra. Kur thotë se do të veprojë, e bën”, u shpreh Rubio.
Sipas tij, Trump është një president i paqes, por njëkohësisht një lider që reagon pa hezitim ndaj çdo kërcënimi. “Maduro mund të kishte zgjedhur një rrugë tjetër. Zgjodhi të bënte të fortin. Tani do të përballet me shumë më tepër probleme”, shtoi Rubio.
Mesazhi i administratës amerikane u lexua gjerësisht si paralajmërim për çdo regjim apo lider që sfidon interesat e SHBA-së, duke përdorur rastin e Venezuelës si shembull konkret të pasojave.
Në këtë kontekst, heshtja e Edi Ramës pas arrestimit të Maduros dhe deklaratat e tij të së shkuarës ndaj Donald Trump po rikthehen në vëmendje, në një moment kur Uashingtoni po sinjalizon qartë se nuk toleron sfida, lojëra apo qëndrime armiqësore ndaj presidentit dhe politikave të tij.
