Blendian Dalipaj, administrator i Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSSH), është përfshirë në një sërë akuzash që lidhen me konflikt interesi dhe dyshime për abuzim me fondet publike, çështje që sipas raportimeve kanë mbërritur edhe në tryezën e SPAK.
Dalipaj u emërua në krye të OSSH më 28 tetor 2022, me vendim të firmosur në atë kohë nga zëvendëskryeministrja dhe ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku. Para këtij emërimi ai kishte mbajtur pozicione të rëndësishme në sektorin energjetik, përfshirë drejtimin e rrjetit në Operatorin e Sistemit të Transmetimit (OST).
Sipas raportimeve mediatike, akuzat kryesore lidhen me përfitimet e kompanisë I.D.K Konstruksion, në pronësi të babait të tij, Bajram Dalipaj, nga kontrata publike dhe projekte infrastrukturore me vlera të mëdha.
Kjo kompani ka qenë pjesë e bashkimit të operatorëve që fitoi koncesionin për ndërtimin e rrugës Milot–Thumanë, një projekt me vlerë rreth 44.6 milionë euro, ku përfshihen edhe kompani të tjera ndërtimi.
Një tjetër element i përmendur në raportime është kompania ABNID sh.p.k., e themeluar nga vetë Dalipaj, e cila sipas të dhënave të publikuara ka realizuar mbi 11 milionë euro xhiro në disa vite përmes nënkontratave nga I.D.K Konstruksion. Kompania u transferua te një familjar i tij pak para emërimit në krye të OSSH, çka ka ngritur dyshime për konflikt interesi.
Media dhe platforma monitoruese të tenderave kanë raportuar gjithashtu për disa procedura prokurimi të firmosura nga Dalipaj me vlera të larta, të cilat janë shënuar me “flamur të kuq” për mungesë konkurrence ose skualifikime të operatorëve të tjerë.
Ndër tenderat më të përfolur përmendet kontrata për marrjen me qira të 170 automjeteve për OSSH dhe FSHU me vlerë rreth 6.7 milionë euro, si dhe tenderi për mirëmbajtjen e automjeteve me vlerë 1.7 milionë euro.
Gjithashtu është përmendur edhe projekti për ndërtimin e një nënstacioni elektrik për aeroportin e Vlorës, me vlerë rreth 4.2 milionë euro, i financuar nga OSSH.
Sipas raportimeve, Dalipaj është kallëzuar në SPAK që prej vitit 2024 për dyshime për shpërdorim detyre, konflikt interesi dhe shkelje të barazisë në tendera. Megjithatë, deri më tani nuk ka një njoftim zyrtar për ecurinë e hetimeve.
Në raportin vjetor të Kontrollit të Lartë të Shtetit për vitin 2023 janë evidentuar gjithashtu disa problematika në procedurat e prokurimit dhe menaxhimin e burimeve në OSHEE, megjithëse raporti nuk përcakton përgjegjësi individuale për drejtuesit.
