Kryeministri Edi Rama ka marrë sërish në mbrojtje zv/kryeministren Belinda Balluku, duke relativizuar dosjen voluminoze të dorëzuar nga SPAK dhe duke vënë në pikëpyetje peshën e saj si provë hetimore. Gjatë konferencës për shtyp, Rama u shfaq hapur në rolin e “avokatit të djallit”, duke deklaruar se 16 mijë faqet e paraqitura nga Prokuroria e Posaçme nuk përbëjnë prova penale.
Sipas Ramës, deri më tani as ai dhe as qeveria nuk kanë bërë “avokati konkrete” për rastin Balluku, por situata ndryshon nga momenti që çështja kalon në derën e Kuvendit.
“Ky rast ndryshon sepse ka ardhur tek ne, në pushtetin legjislativ. Dhe kur vjen tek ne, Kuvendi nuk është noter i prokurorisë. Duhet të shprehet”, tha Rama.
Ai theksoi se Këshilli i Mandateve dhe Imuniteteve nuk është një zyrë që thjesht vulos vendime, por sipas tij funksionon “pothuajse si një gjykatë”, duke nënkuptuar se deputetët kanë të drejtë të gjykojnë përmbajtjen e materialeve të SPAK.
Në vijim, Rama minimizoi hapur dosjen voluminoze, duke deklaruar se përmbajtja e saj nuk ka vlerën që pretendohet publikisht.
“Nuk do të doja ta përmendja fare këtë shifrën e 16 mijë faqeve, por u provokova që ditën e parë. Po të isha unë në Këshillin e Mandateve, do t’u thosha: çohuni, ikni dhe kthehuni me një dosje për parlamentin e deputetit”, u shpreh Rama.
Sipas tij, këto 16 mijë faqe nuk janë produkt i mirëfilltë hetimi penal, por thjesht materiale arkivore.
“Ato nuk janë prova. Janë kontrata, studime, dokumente arkive të ministrisë, të futura të gjitha bashkë. Kaq”, deklaroi kryeministri.
Deklaratat e Ramës kanë nxitur reagime të forta politike, pasi për herë të radhës ai shihet se po ndërhyn drejtpërdrejt në një çështje nën hetim, duke vënë në dyshim punën e SPAK dhe duke i dalë në mbrojtje një prej figurave kyçe të qeverisë së tij.
Ndërkohë, çështja Balluku mbetet një nga dosjet më të nxehta politike dhe ligjore, ndërsa përplasja mes qeverisë, Kuvendit dhe drejtësisë duket se sapo ka hyrë në një fazë edhe më të ashpër.
