Kryeministri Edi Rama ka ashpërsuar tonet ndaj opozitës gjatë konferencës së fundvitit, duke e cilësuar atë si të zhytur në një “depresion të thellë politik”, pa ide, pa program dhe pa alternativë reale përballë qeverisë.
Sipas Ramës, opozita ka mbetur peng i vetëm një narrative: përdorimit të punës së SPAK si mjet sulmi politik, duke e deformuar rolin e këtij institucioni dhe duke e shitur atë si “opozitë” ndaj qeverisë.
“SPAK nuk është opozita e qeverisë. SPAK është një institucion i ri, i krijuar falë vullnetit të kësaj force qeverisëse, i mbështetur dhe i garantuar nga ne. Të tjerë janë betuar se do ta shkrinin, por nuk e shkrinë dot sepse votat i kemi ne”, deklaroi Rama.
Kryeministri theksoi se puna e SPAK është normale në një shtet demokratik dhe se ky institucion bën detyrën e vet, por sipas tij, opozita e ka shndërruar çdo veprim të prokurorisë në “ushqim politik”, duke e përdorur si alibinë e vetme për të goditur qeverinë.
Rama u ndal edhe te roli i mediave dhe asaj që ai e quajti “tenxhere politike dhe mediatike”, duke akuzuar për fabrikim realiteti përmes gjysmë të vërtetave.
“700 tenxhere politike dhe mediatike marrin çdo copë informacioni, e ziejnë dhe e gatuajnë në 700 lloj gjellërash, duke krijuar një tym të madh që djeg sytë e publikut dhe e dezinformon thellësisht. Gjysmë e vërteta është gënjeshtra më e madhe”, u shpreh Rama.
Ai e quajti këtë proces “neveri të madhe publike”, duke shtuar se opozita nuk di të bëjë opozitë reale, nuk di të analizojë të vërtetën e punës së SPAK dhe as të identifikojë anët pozitive dhe negative të saj në mënyrë të ndershme.
Në përfundim, Rama theksoi se opozita nuk është në gjendje ta mundë Partinë Socialiste dhe për këtë arsye është kthyer në një opozitë të zhurmshme, por të zbrazët, e cila sipas tij ushqehet vetëm me skandale të interpretuara dhe jo me alternativa politike për qytetarët.
