Zhupa: Krim mjedisor me pasoja kancerogjene, SPAK të hetojë edhe Kumbaron

Data

Deputetja demokrate Ina Zhupa ka reaguar ashpër lidhur me skandalin e mbetjeve toksike, ku rreth 2800 ton mbetje u tentuan të eksportoheshin drejt vendeve aziatike, një aferë që çoi në arrestimin e dhjetëra zyrtarëve shtetërorë.

Sipas Zhupës, bëhet fjalë për një krim të rëndë mjedisor, me pasoja afatgjata për shëndetin publik dhe mjedisin, i cili nuk mund të mbyllet me hetime të pjesshme apo masa sigurie ndaj zyrtarëve të nivelit të mesëm. Ajo kërkon që hetimi të shkojë deri në përgjegjësinë politike, duke përfshirë edhe ish-ministren e Mjedisit, Mirela Kumbaro.

Deputetja thekson se Agjencia Kombëtare e Mjedisit ka dhënë licenca dhe ka dështuar të monitorojë sasi të mëdha mbetjesh të rrezikshme, duke ngritur dyshime serioze për shkelje të ligjeve kombëtare dhe ndërkombëtare. Sipas saj, fakti që Shqipëria rezulton e paaftë për asgjësimin e këtyre mbetjeve e bën edhe më të rëndë autorizimin e eksporteve.

Zhupa nënvizon se kjo nuk është një shkelje administrative e zakonshme, por një krim mjedisor që “vret ngadalë dhe në heshtje”, duke kërkuar një hetim të plotë, të thelluar dhe të paanshëm nga SPAK, pa mbrojtje politike dhe pa selektivitet.

Në fund, ajo shprehet se përgjegjësia nuk mund të mbetet individuale, por duhet të trajtohet si një dështim institucional dhe politik me pasoja të rënda për vendin.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related