Kurti pas fitores historike: Shumë shpejt do të krijojmë institucionet e reja

Data

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka reaguar pas fitores së thellë në zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare të 28 dhjetorit në Kosovë, duke deklaruar se vendi do të ketë shumë shpejt institucionet e reja dhe se puna do të vazhdojë pa vonesa.

Me 49.3% të votave të fituara, Vetëvendosje ka siguruar 56 mandate në Kuvend, duke i dhënë Kurtit mundësinë të formojë qeverinë pa pasur nevojë për koalicion me partitë shqiptare opozitare. Kurti e cilësoi këtë rezultat si fitoren më të madhe në historinë politike të Kosovës.

“Pasi të certifikohen rezultatet përfundimtare, menjëherë do t’i krijojmë institucionet e reja dhe do të vazhdojë puna,” deklaroi Kurti pas publikimit të rezultateve paraprake.

Ai theksoi se për disa çështje madhore shtetërore, si marrëveshjet ndërkombëtare, do të kërkohet bashkëpunim parlamentar me opozitën. Kurti përmendi Planin e Rritjes të Bashkimit Evropian në vlerë 880 milionë euro, si dhe tri marrëveshje me Bankën Botërore me vlerë rreth 120 milionë euro, duke e cilësuar bashkëpunimin si domosdoshmëri në interes të qytetarëve.

Në lidhje me zgjedhjen e Presidentit të Kosovës, pasi mandati aktual përfundon në muajin mars, Kurti u shpreh se do të ketë konsultime me opozitën dhe me Presidenten në detyrë, duke theksuar se procesi kërkon kuorum të cilësuar dhe përgjegjësi politike.

Sipas rezultateve paraprake, Partia Demokratike e Kosovës është renditur e dyta me 21% të votave dhe 23 mandate, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës ka pësuar rënien më të madhe, duke siguruar vetëm 15 mandate. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka marrë 6 mandate, ndërsa 10 ulëse i takojnë Listës Serbe dhe 10 të tjera pakicave jo-serbe.

Pjesëmarrja në zgjedhje ka qenë rreth 45%, ndërsa votat e diasporës pritet të përfundojnë procesin e numërimit në ditët në vijim.

Me këtë rezultat, Kosova hyn në një fazë të re politike, me një qeveri të qëndrueshme numerikisht dhe me pritshmëri të larta për krijimin e shpejtë të institucioneve dhe vijimin e reformave.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related