Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Shqipëri ka reaguar pas vendimit të Kuvendit për të rrëzuar kërkesën e SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të deputetes socialiste Belinda Balluku.
Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ambasada theksoi se Holanda mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian, në përputhje me aspiratat e qytetarëve shqiptarë.
Në deklaratë theksohet se një nga kushtet kryesore për përparimin e vendit në procesin e integrimit është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta të qeverisjes.
“Një kërkesë kyçe për përparimin në këtë proces të bazuar në meritë është ndjekja efektive penale e korrupsionit, përfshirë edhe në nivelet më të larta,” thuhet në reagimin e Ambasadës së Holandës.
Diplomacia holandeze theksoi gjithashtu se pret që në raste të tilla sistemi i drejtësisë të mund të vazhdojë punën e tij shpejt dhe pa pengesa.
Në fund të deklaratës nënvizohet se politika shqiptare mbetet përgjegjëse për të garantuar që procesi i drejtësisë të zhvillohet pa ndërhyrje dhe me respektimin e parimit të shtetit të së drejtës.
