Një aksident ajror tragjik është regjistruar në shtetin e New Jersey-t, ku dy helikopterë janë përplasur në ajër mbi aeroportin komunal të Hammonton-it.
Ngjarja ndodhi rreth orës 11:25 të paradites me orën lokale. Si pasojë e përplasjes, një person ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa një tjetër është plagosur rëndë dhe ndodhet në gjendje kritike për jetën.
Ekipet e policisë dhe zjarrfikësve kanë ndërhyrë menjëherë, duke shuar flakët që kishin përfshirë njërin prej helikopterëve. Sipas autoriteteve, në secilin mjet fluturues ndodhej vetëm piloti.
Administrata Federale e Aviacionit ka bërë me dije se bëhej fjalë për një përplasje në ajër mes dy helikopterëve të tipit Enstrom, ndërsa hetimet për shkaqet e aksidentit kanë nisur.
