Trupi i pajetë i alpinistit malazez Çazim Fetahoviç është gjetur në malin Hajla, pas disa orësh kërkimesh intensive. Ai ishte raportuar i zhdukur gjatë një marshimi në zonën kufitare mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Sipas informacioneve paraprake, Fetahoviç humbi gjatë ngjitjes pasi, pas kalimit të majës, rrëshqiti në një shtresë dëbore të krijuar nga erërat e forta dhe grumbullimi i borës në shpatet e pjerrëta.
Kërkimet u vështirësuan ndjeshëm për shkak të kushteve ekstreme të motit, me mjegull të dendur, erë të fortë dhe reshje të shumta dëbore, duke e bërë të pamundur operacionin gjatë natës dhe ditës pasuese.
Në operacion u angazhuan pjesëtarë të Shërbimit Malor të Shpëtimit nga Kosova, alpinistë nga klubet malore të Malit të Zi, Policia Kufitare, si dhe shërbimet e zjarrfikësve dhe emergjencave në Rožajë. Për shkak të motit të pafavorshëm, nuk ishte e mundur përdorimi i helikopterit.
Ekipet nga të dyja shtetet bashkëpunuan në mënyrë të koordinuar në operacionin ndërkufitar, por pavarësisht përpjekjeve, alpinisti nuk mundi të shpëtohej.
