Partia Demokratike i është drejtuar për herë të dytë kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi, me kërkesë zyrtare për mbledhjen e Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin më 30 dhjetor, me qëllim shqyrtimin e kërkesës së SPAK për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres dhe ministres Belinda Balluku, e cila është marrë e pandehur.
Kjo lëvizje vjen pas ndërprerjes së njëanshme të mbledhjes së mëparshme të Këshillit më 19 dhjetor, ku sipas PD-së, anëtarët opozitarë nuk u lejuan të marrin pjesë dhe kryetari i Kuvendit u akuzua se po vepronte si “avokat politik” i Ballukut.
Në shkresën e firmosur nga gjysma e anëtarëve të Këshillit, PD thekson se:
•Ligjërisht Këshilli duhet të mblidhet kur e kërkon 1/2 e anëtarëve;
•Afati 2-javor (16–30 dhjetor) ka qenë mëse i mjaftueshëm për njohjen me aktet;
•Në precedentë të mëparshëm parlamentarë, afatet kanë qenë shumë më të shkurtra (48–72 orë);
•SPAK ka theksuar se Balluku dyshohet se po intimidon dëshmitarë dhe po prish prova, çka e bën çështjen urgjente.
Demokratët paralajmërojnë se çdo vonesë e mëtejshme rrezikon:
•cënimin e hetimeve;
•pengimin e drejtësisë;
•përfshirjen e Kuvendit në mbrojtje politike të një të pandehure.
Çfarë kërkon PD konkretisht
Mbledhjen e Këshillit të Mandateve:
•Më 30 dhjetor 2025
•Ora 11:00
•Me rend dite: vijimin e shqyrtimit të kërkesës së SPAK për autorizimin e arrestimit/heqjen e lirisë së Belinda Ballukut.
PD thekson se Kuvendi nuk duhet të shndërrohet në barrierë për drejtësinë dhe se rasti Balluku është një test real për ndarjen e pushteteve dhe funksionimin e shtetit ligjor.
