“T’i jepet fund krizës institucionale”/ Maloku: Zgjedhjet vendimtare për t’i rikthyer Kosovës perspektivën politike

Data

Politologu Albinot Maloku ka vlerësuar se zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Kosovë kanë një rëndësi të veçantë për të ardhmen e vendit, pas muajsh të tërë krizë institucionale dhe bllokade politike.

Në një intervistë televizive, Maloku theksoi se pjesëmarrja e qytetarëve në votime ka peshë të madhe, por vendimtare do të jetë mënyra se si do të përkthehet rezultati në krijimin e institucioneve funksionale dhe të qëndrueshme. Sipas tij, Kosova nuk duhet të përjetojë sërish situata të ngjashme me ato të muajve të fundit, që erdhën si pasojë e mungesës së kompromisit dhe një egocentrizmi politik të theksuar.

Ai kujtoi se në traditën politike të Kosovës, subjekti që del i pari nga zgjedhjet ka pasur zakonisht një qasje më të matur për ndërtimin e koalicioneve, por kjo nuk ndodhi pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, çka solli thellimin e krizës institucionale. Sipas Malokut, mungesa e bashkëpunimit dhe kurajos politike për të ecur përpara pati pasoja që ende ndihen sot.

Duke folur për figurën e kryeministrit Albin Kurti, Maloku pranoi se ai ka pasur rol dhe merita në momente të caktuara historike, por shtoi se në rrethanat aktuale nuk po arrin të shtyjë përpara pozicionin e Kosovës në arenën e brendshme dhe ndërkombëtare. Ai vlerësoi se ndërtimi aktual politik nuk po i ofron vendit perspektivën e nevojshme për zhvillim dhe stabilitet.

Në fund, Maloku theksoi se rezultati i këtyre zgjedhjeve është prioritar për t’i dhënë fund bllokadës, për të rikthyer funksionimin normal të institucioneve dhe për t’i hapur Kosovës një perspektivë më të qartë politike, ekonomike dhe ndërkombëtare.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related