Bujar Leskaj ka reaguar ashpër ndaj kërcënimeve dhe shantazheve të raportuara ndaj MCN TV dhe Drejtorit të Përgjithshëm të tij, Endri Meksi, duke i cilësuar ato si një goditje serioze ndaj demokracisë dhe lirisë së shprehjes në Shqipëri.
Në një reagim publik, Leskaj theksoi se akte të tilla përbëjnë tentativa për të frikësuar median e lirë dhe për të kufizuar mendimin e pavarur.
Ai i bëri thirrje institucioneve ligjzbatuese që të veprojnë me urgjencë për zbardhjen e plotë të ngjarjes, duke kërkuar identifikimin jo vetëm të autorëve, por edhe të personave që qëndrojnë pas këtyre veprimeve.
“Sulmi ndaj medias është sulm ndaj vetëdijes sonë shoqërore. Nuk ka errësim më të madh për një komb sesa goditja ndaj fjalës së lirë me metoda mafioze,” thuhet në deklaratën e tij.
Leskaj shprehu solidaritet me të gjitha mediat që përballen me presione dhe kërcënime, duke e cilësuar situatën si një sinjal alarmi për gjendjen e lirisë së medias në vend.
Në përfundim, ai deklaroi mbështetje për Endri Meksi, duke e inkurajuar të vijojë punën e tij përballë presioneve dhe duke u bërë thirrje strukturave politike të mbrojnë median e lirë.
