Prokuroria e Posaçme (SPAK) me ndihmën e ndërkombëtarëve është mundësia e fundit për mbylljen e tranzicionit shqiptar dhe shkallmimin e kësaj klase keqbërëse dhe mafioze politike, e cila ka tre dekada që vjedh, sundon dhe plaçkit Shqipërinë. Në këto rrethana, krerët e korruptuar po bëjnë përpjekje maksimale për sabotimin e SPAK-ut, me shpresë për t’i shpëtuar lakut të drejtësisë. Edhe pse hiqet si mbështetës i Reformës në Drejtësi, kryeministri Edi Rama po lëviz çdo gur për të shkrirë drejtësinë e re, në mënyrë që të mos ketë fatin e Ivo Sanader.
Në Kroaci, prokurorët specialë nisën hetimet për ish-kryeministrin kroat Sanader duke nisur që nga vlera e orës së dorës. Hetimet u thelluan, duke zbuluar pasuri të tjera dhe para korrupsioni jashtë vendit. Këtu SPAK e ka më të lehtë për të shkuar te fundosja e Edi Ramës pasi kryebashkiaku Erion Veliaj, është i fundit në vlerë statistikore që po shton numrin e heronjve dardhaxhinj të Ramës, të cilët kanë rënë një e nga një në betejat e pafundme për të shtuar zerot e milionave nga vjedhjet dhe grabitjet e parave të taksapaguesve. Stoiku kryeministër qëndron aty, në ballë të qeverisë të dardhaxhinjve, të cilët po e lënë të vetëm nga dita në ditë, pasi kanë marrë rrugën e vakancave në qelitë e burgjeve.
Ka rënë Arben Ahmetaj, Saimir Tahiri, Lefter Koka, Ilir Beqja, Jurgys Çyrbja, Alqi Bllako, Arben Ndoka, Jorgo Goro, Safet Gjici, Vangjush Dako, Lefter Alla dhe shumë të tjerë dhe sërish Rama kur arrestohen thotë se faji është i tyre. Tani që heronjtë kanë rënë një e nga një, kryedardhaxhiut nuk i bën derman as antiplumbi që ka veshur në trup për tu mbrojtur nga dëmet që i ka shkaktuar shqiptarëve nga ngrënësit e dardhave.
