Një ngjarje e rëndë ka tronditur Italinë gjatë festave të Krishtlindjes, ku një vajzë 15-vjeçare dhe nëna e saj kanë ndërruar jetë brenda pak orësh nga njëra-tjetra, ndërsa dyshohet se shkaku lidhet me një helmim të mundshëm ushqimor.
Vajza humbi jetën mbrëmjen e së shtunës, pasi gjendja e saj shëndetësore u përkeqësua me shpejtësi dhe u shtrua në repartin e kujdesit intensiv. Vetëm disa orë më vonë, në mëngjesin e së dielës, ndërroi jetë edhe nëna e saj. Babai i vajzës, 55 vjeç, ndodhet ende i shtruar në spital dhe po merr trajtim mjekësor, ndërsa vajza tjetër e familjes, 20 vjeçe, nuk ka shfaqur simptoma.
Sipas të dhënave paraprake, të gjithë anëtarët e familjes ishin ndjerë keq pas darkës së Krishtlindjes, ku ishte konsumuar peshk, ushqime deti dhe midhje. Fillimisht ata iu drejtuan urgjencës, por pas vlerësimit u rikthyen në banesë, pasi gjendja nuk ishte konsideruar alarmante. Vetëm pas përkeqësimit të fortë të simptomave, familja u rikthye sërish në spital.
Autoritetet kanë nisur hetimet për të zbardhur shkaqet e sakta të ngjarjes, ndërsa është urdhëruar kryerja e autopsisë për të përcaktuar nëse vdekjet janë pasojë e helmimit ushqimor apo një reagimi të rëndë ndaj ushqimit të konsumuar.
Ngjarja ka tronditur komunitetin lokal, ndërsa autoritetet shprehin ngushëllime për familjen dhe presin rezultatet zyrtare për të sqaruar plotësisht këtë tragjedi të rëndë.
