Momente paniku janë regjistruar mesditën e kësaj të shtune në Tiranë, pasi një automjet është përfshirë papritur nga flakët teksa ndodhej në lëvizje në mes të rrugës.
Sipas informacioneve paraprake, drejtuesi i mjetit ka arritur të largohet në kohë, duke shmangur pasoja për jetën. Nga ngjarja nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa automjeti ka pësuar dëme të konsiderueshme materiale.
Në vendin e ngjarjes kanë mbërritur menjëherë shërbimet zjarrfikëse, të cilat kanë neutralizuar flakët, si edhe policia, që ka siguruar zonën dhe ka nisur hetimet për zbardhjen e shkaqeve të zjarrit.
Paraprakisht dyshohet për një defekt teknik, por pritet ekspertiza për të përcaktuar shkakun e saktë të incidentit. Ngjarja ka shkaktuar edhe bllokim të përkohshëm të qarkullimit në zonë, ndërsa autoritetet u bëjnë thirrje drejtuesve të mjeteve të tregojnë kujdes të shtuar.
