“Shteti si pronë private”, Berisha publikon shifra tronditëse për AKSHI-n: Nga 1 mijë euro në 234 milionë brenda 4 muajve

Data

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka reaguar sërish lidhur me dosjen e bujshme të abuzimeve në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila po hetohet nga Prokuroria e Posaçme.

Në një reagim publik, Berisha e cilëson dosjen si provë flagrante të kapjes së shtetit nga pushteti, duke deklaruar se AKSHI është shndërruar në një “kopsht privat” ku janë realizuar fitime marramendëse përmes skemave korruptive.

Sipas tij, në dosjen hetimore rezulton se shuma prej vetëm 1 mijë eurosh është shumëfishuar brenda pak muajsh në 234 milionë euro, një rritje që Berisha e përshkruan si “22 milionë herë fitim”, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për investime inovative apo startup-e, por për abuzim të pastër me fondet publike.

“1.000 euro bëhen 234 milionë euro në vetëm katër muaj. Jo mrekulli ekonomike, jo sukses biznesi, por dosja AKSHI që tregon se shteti është kthyer në pronë private të pushtetit”, shkruan Berisha.

Në një reagim tjetër, ai ka publikuar edhe pamje video ku pretendon se shishe vere me vlerë deri në 33 mijë euro dërgoheshin në restorante ku frekuentoheshin nga drejtues të lartë shtetërorë. Sipas tij, bëhet fjalë për verëra shumë të rralla dhe tepër të shtrenjta, që simbolizojnë luksin ekstrem të financuar nga paratë e qytetarëve.

Berisha thekson gjithashtu se në kuadër të hetimeve janë sekuestruar mbi një mijë shishe vere luksoze në ambientet e lidhura me biznesmenin Ergys Agasi, i shpallur në kërkim. Vlera e koleksionit, sipas tij, arrinte deri në 4 milionë euro, me çmime individuale që shkonin mbi 30 mijë euro për shishe.

Sipas pretendimeve të opozitës, ky koleksion është zhdukur në mënyrë të dyshimtë, pavarësisht se ndodhej nën sekuestro, ndërsa për largimin e tij dyshohet një familjar i afërt i Agasit.

Kreu i PD-së kërkon transparencë të plotë dhe hetim të thelluar, duke theksuar se kjo çështje përbën një nga skandalet më të rënda të abuzimit me fondet publike në vend.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related