Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka shtyrë sërish seancën gjyqësore ndaj kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, dhe dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi, në lidhje me dosjen e njohur si “Partizani”.
Gazetarja Klodiana Lala raportoi se seanca e radhës është caktuar për 22 dhjetor, ora 11:00, pasi trupi gjykues nuk u plotësua.
Sipas informacioneve, gjyqtarja e GJKKO-së, Rudina Palloj, mungoi për arsye shëndetësore, duke bërë të pamundur zhvillimin e seancës së sotme.
Akuza ndaj Berishës dhe Malltezit
Në dosjen “Partizani”, SPAK akuzon Sali Berishën se ka ndërhyrë në ndryshime ligjore që, sipas Prokurorisë, kanë favorizuar dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi, duke e ndihmuar të zhvillonte një biznes ndërtimi nga i cili përfitoi 5.4 milionë euro.
Të pandehur në këtë çështje janë:
- Sali Berisha, ish-kryeministër – akuzohet për “korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë”, në bashkëpunim me Malltezin.
- Jamarbër Malltezi – akuzohet për “korrupsion pasiv” dhe “pastrim parash”.
- Fatmir Bektashi, biznesmen dhe ndërtues – akuzohet për “korrupsion aktiv” dhe “pastrim parash”.
- Xhimi Begeja, ortak i Malltezit dhe trashëgimtar i pronës – akuzohet për “pastrim parash”.
- Andia Pustina, finance e kompanisë “Homeplan sh.p.k.” – akuzohet për “pastrim parash”.
SPAK pretendon se Malltezi ka përfituar në mënyrë të parregullt nga ndryshimet e bëra gjatë kohës kur Berisha ishte kryeministër, duke i hapur rrugën zhvillimit të komplekseve të ndërtimit në ish-terenin e klubit “Partizani”.
