Hetimet e Prokurorisë së Posaçme (SPAK) mbi skandalin e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) po zbulojnë një skemë të gjerë ndikimi dhe abuzimi, ku përveç përfitimit të tenderave publikë, dyshohet se është ushtruar ndikim i paligjshëm edhe në punësimet brenda institucionit.
Në dosjen hetimore të ndjekur nga prokurorët Bledar Maksuti dhe Altin Dumani, evidentohet se Ergys Agasi, ortak i shoqërisë “EA Solutions” dhe përfitues i disa kontratave nga AKSHI, ka pasur rol aktiv edhe në emërime dhe punësime në këtë institucion shtetëror.
Sipas SPAK, një nga rastet konkrete lidhet me punësimin e Vjola Agasit, motra e Ergys Agasit, e cila rezulton e emëruar pranë AKSHI-së përmes ndikimit të paligjshëm të vëllait të saj. Ky fakt, sipas prokurorisë, shpjegon në mënyrë të arsyeshme lidhjen shoqërore dhe interesat e përbashkëta mes Mirlinda Karçanajt, drejtoreshë e AKSHI-t, dhe biznesmenit Ergys Agasi.
“Punësimi i shtetases Vjola Agasi pranë AKSHI-së është realizuar përmes ndikimit të paligjshëm të shtetasit Ergys Agasi”, thuhet në aktet hetimore, ku theksohet se ky veprim përforcon dyshimet për një marrëdhënie të qëndrueshme bashkëpunimi dhe favore reciproke mes palëve.
Burime të hapura konfirmojnë se Vjola Agasi mban një post të rëndësishëm brenda institucionit, ndërsa SPAK po heton edhe raste të tjera punësimesh, ku dyshohet se janë favorizuar persona të afërt me Agasin, si dhe individë që rezultojnë në konflikt me ligjin.
Sipas burimeve hetimore, disa nga këta persona jo vetëm janë punësuar në AKSHI, por kanë përfituar paga të rregullta, pavarësisht dyshimeve për mungesë kriteresh ligjore dhe profesionale.
Hetimet vijojnë dhe pritet që dosja e AKSHI-t të zgjerohet më tej, duke përfshirë jo vetëm abuzimet me tenderët publikë, por edhe kapjen e institucionit përmes punësimeve klienteliste dhe ndikimit kriminal.
