Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, ka reaguar ndaj deklaratave të fundit të presidentit turk, Recep Tayyip Erdoğan, duke deklaruar se Izraeli nuk do të lejojë askënd të kërcënojë sigurinë ose ekzistencën e tij.
Në një intervistë për televizionin izraelit Channel 14, Netanyahu tha se e sheh me shqetësim retorikën e Ankarasë ndaj Izraelit.
“Ajo që po ndodh në Turqi është rezultat i dobësimit të Iranit. Irani përfaqëson boshtin ekstremist shiit, ndërsa Turqia përfaqëson boshtin e Vëllazërisë Myslimane, një lëvizje po aq ekstremiste,” u shpreh ai.
Duke komentuar deklaratat e presidentit turk për Jerusalemin, Netanyahu tha se “400 vitet e Perandorisë Osmane kanë mbaruar”.
“Sot ekziston një shtet i fortë i quajtur Izrael. Ekzistojnë Forcat e Mbrojtjes së Izraelit, ekziston populli i Izraelit dhe ekziston qeveria e Izraelit. Do të ishte e mençur që ai të qetësohej,” deklaroi kryeministri izraelit.
Netanyahu shtoi se Izraeli do të vazhdojë të mbrojë sigurinë e tij.
“Ne nuk do të lejojmë askënd të kërcënojë ekzistencën tonë apo sigurinë tonë. Kemi treguar se çfarë jemi në gjendje të bëjmë,” tha ai.
Deklaratat vijnë në një periudhë tensioni mes Izraelit dhe Turqisë, pas shkëmbimit të kritikave mes dy vendeve lidhur me zhvillimet në Lindjen e Mesme dhe statusin e Jerusalemit.
Në intervistë, Netanyahu komentoi edhe marrëdhëniet me Egjiptin, duke konfirmuar se ka zhvilluar bisedime me autoritetet egjiptiane lidhur me raportimet për shtimin e pranisë ushtarake në Gadishullin e Sinait. Ai nuk dha detaje të mëtejshme, por theksoi rëndësinë e respektimit të marrëveshjeve ekzistuese mes dy vendeve.
Në përfundim, kryeministri izraelit u shpreh se ekuilibrat gjeopolitikë në Lindjen e Mesme po ndryshojnë dhe se Izraeli do të vijojë të forcojë pozicionin e tij në rajon.
