PD në sulm kundër Ervin Salianjit, zbulohet SMS për demokratët e Shkodrës: “Axhendë tërësisht private”

Data

Tensionet brenda Partisë Demokratike janë përshkallëzuar pas njoftimit të ish-deputetit Ervin Salianji për një takim me mbështetësit e tij në qytetin e Shkodrës, të planifikuar për sot në orën 18:00.

Salianji e ka paraqitur këtë takim si një nismë politike për riorganizimin dhe fuqizimin e Partisë Demokratike në një moment kur vendi, sipas tij, po përballet me skandale të shumta korruptive. Megjithatë, reagimi nga strukturat zyrtare të PD-së në Shkodër ka qenë i menjëhershëm dhe i ashpër.

Në një mesazh të shpërndarë me SMS për anëtarët dhe strukturat lokale, dega e PD Shkodër distancohet plotësisht nga takimi i Salianjit, duke e cilësuar atë si një aktivitet me axhendë tërësisht private dhe pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

Sipas këtij mesazhi, takimi dyshohet se organizohet nga kryebashkiaku i Shkodrës dhe persona pranë tij, ndërsa pretendohet se kjo nismë i shërben drejtpërdrejt interesave të qeverisë. Në mesazh thuhet gjithashtu se takimi mbështetet edhe nga elementë kriminalë, çka sipas PD-së e bën edhe më problematike këtë aktivitet politik.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike ka deklaruar më herët se Ervin Salianji është vetëpërjashtuar nga PD-ja, duke ndërmarrë lëvizje politike jashtë strukturave zyrtare të partisë. Po sot, PD ka njoftuar zhvillimin e një takimi të Foltores me strukturat e saj në qytetin e Korçës, në të njëjtin orar me takimin e Salianjit në Shkodër.

Mesazhi i degës së PD Shkodër:

“I dashur anëtar i PD Shkodër.

Sot, duke spekuluar në emër të PD-së, po tentohet të organizohet një takim me një axhendë tërësisht private, pa asnjë lidhje me Partinë Demokratike.

Ky takim organizohet nga kryebashkiaku i Shkodrës dhe falanga e tij dhe, për më keq, me mbështetjen edhe të elementëve kriminalë.

Dega e PD Shkodër ju bën thirrje të distancoheni, pasi ky takim i shkon për shtat axhendës së qeverisë.”

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related