Zgjedhjet e 28 dhjetorit në Kosovë: Policia me plan masash, apel qytetarëve për bashkëpunim dhe denoncim

Data

Policia e Kosovës ka hartuar planin e masave për garantimin e sigurisë gjatë zgjedhjeve të parakohshme të 28 dhjetorit për Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës së sotme janë zhvilluar dy takime zyrtare informuese dhe koordinuese lidhur me planifikimin, zbatimin dhe koordinimin e urdhrit operativ për procesin zgjedhor. Takimi i parë është mbajtur me drejtorë rajonalë dhe drejtues të departamenteve të Policisë së Kosovës, ndërsa në takimin e dytë kanë marrë pjesë edhe përfaqësues të organeve të drejtësisë, Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera relevante, përfshirë partnerë ndërkombëtarë.

Sipas policisë, këto takime kanë shërbyer për prezantimin e përgatitjeve policore, planifikimeve të sigurisë dhe forcimin e koordinimit ndërinstitucional për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në të gjithë territorin e vendit.

Nga Drejtoria për Planifikim dhe Vlerësim Operacional është shpalosur urdhri operativ, ku janë detajuar detyrat, angazhimet, bashkëpunimi dhe koordinimi i aktiviteteve brenda strukturave policore, si dhe me institucionet e tjera përkatëse.

Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në zbatimin e detyrave ligjore në mënyrë profesionale, transparente dhe të paanshme, me qëllim garantimin e ushtrimit të lirë dhe demokratik të së drejtës së votës.

Në këtë kuadër, qytetarët ftohen të bashkëpunojnë me institucionet dhe të raportojnë çdo rast të dyshuar apo veprim të kundërligjshëm që mund të cenojë sigurinë dhe integritetin e procesit zgjedhor.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related