Një ngjarje e rëndë është zbuluar në Pogradec, ku një punonjës i Shërbimit Zjarrfikës është arrestuar pasi dyshohet se kishte kthyer lokalin që administronte në një bazë për shitje të lëndëve narkotike.
Në pranga ka rënë 54-vjeçari Luan Sulstarova, zjarrfikës në bashkinë Pogradec. Gjatë kontrollit të ushtruar nga policia në ambientin e lokalit në lagjen nr. 1, u gjet një sasi lënde narkotike e dyshuar kanabis, një pjesë e së cilës e ndarë në doza gati për shitje. Po ashtu u sekuestruan një shumë parash që dyshohet se ishte përfituar nga aktiviteti kriminal, si dhe dy aparate celularë.
Arrestimi u krye në kuadër të operacionit policor të koduar “Aktiviteti”, i finalizuar pas hetimeve me metoda proaktive dhe kontrolleve intensive nga strukturat e policisë, me qëllim parandalimin dhe goditjen e shpërndarjes së lëndëve narkotike.
Pas arrestimit, 54-vjeçari është pezulluar menjëherë nga detyra me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Zjarrfikës. Pezullimi do të vijojë deri në përfundim të hetimeve dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj çështjeje.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme ligjore, ndërsa hetimet vijojnë për të përcaktuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale.
