Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja e rëndë e ndodhur në Tiranë, ku një 17-vjeçar mbeti i plagosur rëndë me armë zjarri brenda një banese.
Sipas burimeve hetimore, katër të rinj ndodheshin në banesën e 19-vjeçarit Rigers Sylaj, ku po konsumonin alkool. Në një moment, Sylaj ka marrë një armë zjarri tip pistoletë për t’ua treguar shokëve dhe dyshohet se, pa e ditur se arma ishte e mbushur, ia ka drejtuar në kokë 17-vjeçarit, duke shkaktuar plagosjen e tij.
I mituri mori një plagë të rëndë në kokë dhe u transportua me urgjencë në Spitalin e Traumës, ku ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.
Pas ngjarjes, 19-vjeçari dhe dy të rinjtë e tjerë, të moshave 20 dhe 22 vjeç, dyshohet se tentuan të fshehin të vërtetën. Ata e nxorën të plagosurin në oborrin e banesës dhe njoftuan ambulancën, duke pretenduar fillimisht se kishin dëgjuar të shtëna dhe e kishin gjetur shokun të plagosur jashtë.
Megjithatë, gjatë marrjes në pyetje nga policia, të rinjtë ndryshuan dëshmitë dhe pranuan se ngjarja kishte ndodhur aksidentalisht brenda banesës, gjatë momentit kur arma po u tregohej shokëve.
Sipas hetimeve paraprake, arma e zjarrit ishte në pronësi të 19-vjeçarit Rigers Sylaj, i cili mësohet të jetë djali i një ushtaraku.
Në përfundim të veprimeve hetimore, policia arrestoi 19-vjeçarin për veprat penale “Plagosja e rëndë nga pakujdesia”, “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës” dhe “Mbajtja pa leje e armëve dhe municionit luftarak”.
Ndërsa dy të rinjtë e tjerë janë proceduar për veprën penale “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
