Gjatë protestës së 37-të para godinës së Kryeministrisë, foli edhe mamaja e Arbër Lleshit, një prej protestuesve të arrestuar pas ngjarjeve të 2 korrikut, e cila pretendoi se djali i saj është dhunuar gjatë shoqërimit nga policia.
Mes emocionesh, ajo deklaroi se shenjat e goditjeve janë ende të dukshme në trupin e të birit dhe se pamjet që pa pas arrestimit e kanë bërë më të vendosur për të marrë pjesë në protestë.
“Përshëndetje qëndrestarë. Unë jam mamaja e Arbër Lleshit, të cilin ma arrestuan më 2 korrik. Shenjat e grushtave në furgonin e policisë i ka edhe sot. Kur pashë videon ku dhunohej djali im, u bëra edhe më e fortë. Nëse më parë vija një ditë po e një ditë jo, tani do të jem çdo ditë këtu në shesh,” u shpreh ajo.
Ajo iu drejtua gjithashtu kryeministrit Edi Rama, duke deklaruar se arrestimet dhe, sipas saj, dhuna ndaj protestuesve nuk do t’i dekurajojnë pjesëmarrësit.
“Ju mendoni se do të na trembni me arrestimin e fëmijëve tanë. Përkundrazi, jemi bërë edhe më të fortë dhe do të jemi këtu për sa të jetë e nevojshme,” deklaroi ajo.
Pretendimet e bëra nga nëna e protestuesit për dhunë gjatë arrestimit nuk janë konfirmuar nga autoritetet. Deri tani nuk ka pasur një reagim zyrtar nga Policia e Shtetit lidhur me këto akuza.
Protesta e 37-të vijon para Kryeministrisë, ku qytetarët kanë deklaruar se do të vazhdojnë tubimet në mënyrë paqësore, duke kërkuar dorëheqjen e kryeministrit dhe llogaridhënie nga institucionet.
