Ka nisur në GJKKO seanca gjyqësore ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, por procesi është shoqëruar që në fillim me debat procedural për shkak të mungesës së tij në sallë.
Sipas deklarimeve të bëra gjatë seancës, Veliaj nuk është paraqitur në gjykatë, ndërsa është ngritur shqetësimi se Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve nuk ka zbatuar urdhrin e gjykatës për shoqërimin e tij.
Avokati mbrojtës, Plarent Ndreca, deklaroi se mungesa e klientit të tij krijon pengesë për zhvillimin normal të gjykimit. Ai theksoi se Veliaj nuk ka shprehur asnjë vullnet të qartë, as për të marrë pjesë dhe as për të mos marrë pjesë në seancë, çka sipas tij e bën situatën edhe më problematike nga ana procedurale.
Ndërkohë, mbrojtja ngriti edhe pretendime lidhur me dosjen hetimore, duke kërkuar që të gjithë fashikujt e çështjes t’i vihen në dispozicion, në përputhje me urdhrin e dhënë më herët nga gjykata.
Nga ana tjetër, përfaqësuesit e SPAK deklaruan se, bazuar në rrethanat e deritanishme, Erion Veliaj nuk ka marrë dijeni për datën dhe orën e zhvillimit të seancës. Sipas tyre, Drejtoria e Burgjeve nuk ka marrë masat e nevojshme as për njoftimin dhe as për shoqërimin e tij në gjykatë.
Për këtë arsye, prokurorët kërkuan që të sqarohen shkaqet e mosveprimit nga ana e institucioneve përgjegjëse, ndërsa çështja pritet të vijojë mes diskutimeve mbi respektimin e procedurave dhe garantimin e të drejtave të palëve në proces.
