Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka reaguar për herë të parë lidhur me gjestin e tij gjatë ceremonisë së betimit në Kuvend, ku u pa teksa përshëndeste me puthje deputetë të Partisë Demokratike, në një moment të shoqëruar me tensione politike.
Në një intervistë televizive, Shabani sqaroi se veprimi i tij nuk kishte asnjë qëllim ironik apo provokues, por ishte një përpjekje për të zbutur klimën e acaruar në sallë.
Sipas tij, situata gjatë betimit ishte e pazakontë dhe e ngarkuar emocionalisht, çka e shtyu të reagonte në mënyrën që ai zakonisht përdor për të përshëndetur njerëzit.
“Situata ishte e tensionuar dhe nuk po shkonte në drejtimin e duhur. Për ta qetësuar, tentova të përshëndes ata që ishin aty. Puthja është një nga format që unë përdor për përshëndetje. Nuk ishte as tallje, as cinizëm,” u shpreh Shabani.
Ai theksoi gjithashtu se ceremonia e betimit nuk u zhvillua në kushtet që ai kishte kërkuar paraprakisht dhe se prania e familjarëve e kishte bërë momentin edhe më delikat.
“Kisha marrë me vete familjarët e mi. Shkova për një ceremoni zyrtare betimi, por rrethanat nuk ishin normale. U përpoqa të mos ndikohem nga tensionet përreth dhe të ruaj qetësinë,” shtoi ai.
Shabani theksoi se tashmë fokusi i tij është ushtrimi i detyrës si Avokat i Popullit dhe garantimi i të drejtave të qytetarëve, duke shmangur përfshirjen në debatet politike që shoqëruan zgjedhjen dhe betimin e tij.
