“Një drejtues i PD firmosi në momentin e fundit” – Shabani për kundërshtimet: Nëse Kushtetuesja shfuqizon emërimin tim, nuk jam më Avokat i Popullit

Data

Avokati i Popullit, Endrit Shabani, ka reaguar pas debatit politik që shoqëroi zgjedhjen e tij në këtë detyrë, duke sqaruar procesin e mbledhjes së firmave dhe kundërshtimet e mëvonshme të një pjese të deputetëve demokratë.

Në deklarimet e tij, Shabani tha se procesi i kandidimit ka qenë i rregullt dhe brenda afateve ligjore, duke theksuar se ka mbledhur 35 firma të deputetëve opozitarë, siç kërkohet nga ligji. Ai zbuloi se një prej drejtuesve të Partisë Demokratike ka firmosur vetëm pesë minuta para mbylljes së afatit.

“Vazhdoja të mblidhja firma deri në fund, sepse mendoja se dikush mund të tërhiqej. Afati u mbyll dhe vetëm dy ditë më pas dëgjova pretendime për tërheqje firmash. Kjo nuk mund të ndodhë, sepse procesi kishte përfunduar,” u shpreh Shabani.

I pyetur për mundësinë që çështja të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të pretendimeve se disa deputetë kanë kërkuar shfuqizimin e emërimit të tij, Shabani deklaroi se është i hapur ndaj çdo verifikimi institucional.

“Nëse Gjykata Kushtetuese e shfuqizon emërimin tim, normalisht nuk do të jem më Avokat i Popullit. Sot jam në këtë detyrë, nesër mund të mos jem. Kjo është pjesë e shtetit të së drejtës,” tha ai, duke shtuar se çdo procedurë duhet të shqyrtohet në rrugë ligjore.

Shabani theksoi se tashmë nuk është më aktor apo komentator politik dhe se nuk do të përfshihet në përplasjet e brendshme të Partisë Demokratike. Ai u shpreh se do të mbrojë të drejtën e kujtdo për të shprehur mendimin e tij, por pa u bërë pjesë e debateve partiake.

Në lidhje me pyetjet për Ervin Salianjin, Shabani reagoi shkurt, duke theksuar se Salianji nuk është deputet dhe se kjo çështje nuk lidhet me fushën e veprimtarisë së tij si Avokat i Popullit.

Në përfundim, Shabani nënvizoi se firmat janë dhënë me vetëdije të plotë, brenda afatit ligjor, dhe se çdo pretendim tjetër duhet të zgjidhet nga institucionet përkatëse, jo nëpërmjet debateve politike.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related