Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi është thirrur për herë të parë ditën e djeshme në SPAK. Peleshi është larguar nga ambientet e Prokurorisë së Posaçme pas thuajse më shumë se 2 orësh qëndrim. Peleshi u paraqit në orën 10:00 në zyrat e SPAK. Edhe pse nuk kanë dalë detaje zyrtare se për çfarë ka dhënë llogari, raportohet se ministri mund të jetë thirrur në lidhje me hetimin për inceneratorët, marrëdhëniet me Klodian Zoton, për procedurën e matësit e ujit kur ka qenë në bashkinë e Korçës, ose për lidhjet e tij me skandalet në ushtri, dosje të cilën SPAK po e heton pre 3 vitesh. Jashtë SPAK, ministri Peleshi, tha shkurtimisht për gazetarët se ‘ishte aty për çështje funksioni’.
Emri i Niko Peleshit te inceneratorët
Dyshohet se Peleshi është marrë në pyetje në lidhje me marrëdhënien që ka me bosin e inceneratorëve Klodian Zoto, i cili në kohën kur Niko Peleshi ka qenë në krye të bashkisë së Korçës, në 2013, ka fituar një tender për matësit e ujit. Sipas asaj që po heton SPAK, Mirel Mërtiri me Klodian Zoton, falë ndërhyrjes së Arben Ahmetaj, sipas prokurorisë, arritën të përfitojnë një tender për matësat e ujit me vlerë 3.3 milionë euro në 11 shkurt të vitit 2013 në Korçë. Po në Korçë, kompania “FMO” e përfaqësuar nga Arenc Myrtezani, një nga të akuzuarit e arrestuar për aferën e inceneratorëve, përfiton gati 2 milionë euro për ndërtimin e një objekti fotovoltaik. Në këtë projekt del edhe emri i një italiani, Francesco Pistritto, një konsulent bankar, i cili sipas dosjes së SPAK luan një rol të rëndësishëm edhe në veprime të tjera të mëpasshme të Arben Ahmetaj. “Nga aktet e administruara deri tani, shfaqet interesant, roli i një shtetasi italian, Francesco Pistritto, në marrëdhëniet që ka me Klodian Zoton, Mirel Mërtirin, dhe Arben Ahmetajn si dhe punët e tyre të përbashkëta”, thuhet një dosje.
Firma për Ramën
Nga ana tjetër, Niko Peleshi rrezikon edhe për një firmë që ka hedhur për kryeministrin tek inceneratorët. Në dosjen e SPAK për arrestimin e Arben Ahmetajt është trajtuar kalimi i procedurës së paligjshme në disa institucione deri në vendimin me nr.907 të Këshillit të Ministrave. Në dosje madje janë përfshirë edhe zërat kundër. Shkëlqim Cani e refuzoi si të jashtëligjshme dhe kërkoi korrigjimin e saj. Kur u pyet në Komisionin Hetimor për inceneratorët, Shkëlqim Cani u shpreh: “Kemi refuzuar miratimin e projektit të Elbasanit sepse procedura nuk ishte në përputhje ligjin. Është normale të vepronim kështu”. E njëjta procedurë ishte kundërshtuar edhe nga Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Prokurimit Publik, Eduart Ahmeti. Në dosjen e SPAK citohet përgjigjia e Eduart Ahmetit për Lefter Kokën, ku ai i kujton se procedurat e parashikuara nga ligji dhe vërejtjen për ta korrigjuar dokumentet. Pavarësisht zërave që e kundërshtonin procedura e paligjshme mbërriti deri në tryezën e punës së Edi Ramës. Pritej tani që ai ta firmoste, njësoj siç bënte me dokumentet e tjerë. Por Rama iu shmang firmës për paligjshmërinë. Në mbledhjen e qeverisë kur duhej të kalonte vendimi me nr.907 Rama ia la zv/kryeministrit të atëhershëm, Niko Peleshit për ta hedhur firmën. Dosja e SPAK sqaron se në vendim kishte edhe një gabim teknik dhe Niko Peleshi e ka firmosur sërish dokumentin e korrigjuar.
Skandalet në ushtri
Gjithashtu Niko Peleshi është nën “lupën” e drejtësisë dhe për skandalet në ushtri, pasi korrupsioni ka hyrë në të gjitha nivelet e saj dhe sot thuajse i gjithë zinxhiri komandues i ushtrisë shqiptare është nën hetim dhe pa telefona. Nuk kemi vetëm një çështje që po hetohet, por disa çështje njëherësh, janë tenderat, privatizimet dhe tjetërsimet e pronave të ushtrisë. Janë disa hetime që prekin ushtrinë dhe Ministrinë e Mbrojtjes të Niko Peleshit.
