Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u pyet nga gazetarët nëse do ta dërgojë në Prokurorinë e Posaçme librin me rreth 1500 faqe që sipas PD përmban prova dhe fakte mbi shkeljet dhe krimet zgjedhore të 11 majit.
Berisha u shpreh se çështja është diskutuar brenda PD-së dhe nuk përjashtohet mundësia që materiali t’i dërgohet SPAK, por theksoi se opozita tashmë ka depozituar mbi 100 kallëzime penale për krime elektorale, të cilat sipas tij nuk janë hetuar.
“E kemi diskutuar dhe mund ta çojmë librin. Por problemi themelor i Partisë Demokratike me SPAK është amnistia elektorale. Nëse nuk do të kishte amnisti për krimin zgjedhor, këto nuk do të ndodhnin kurrë. Janë bërë mbi 100 kallëzime dhe asnjë nuk ka lëvizur”, deklaroi Berisha.
Ai akuzoi Prokurorinë e Posaçme se është bërë pjesë e axhendës elektorale të mazhorancës, duke shtuar se mosndëshkimi i krimeve zgjedhore përbën, sipas tij, amnisti për bandat kriminale.
Në vijim, Berisha tha se ka denoncuar prej kohësh rolin e Ergys Agasit në zgjedhje, duke pretenduar se ai koordinonte krimet elektorale përmes takimeve me persona të botës së krimit.
“Kam denoncuar publikisht takimet e Ergys Agasit te Shkëmbi i Kavajës me Elvis Doçin dhe Suel Çelën, ku bashkërendonin krimet elektorale. Këto i dinin shumë mirë institucionet, por heshtën”, u shpreh Berisha.
Ai shtoi se sipas tij Agasi kishte ndikim të drejtpërdrejtë edhe mbi strukturat e inteligjencës dhe se ishte “njeriu i besuar i kryeministrit”.
“Të gjitha këto janë denoncuar prej kohësh. Ergys Agasi ishte njeriu i Edi Ramës dhe ushtronte pushtet real në prapaskenë. Imagjinoni projekte për të marrë peng ministra – ai ishte qeveria reale e Edi Ramës”, përfundoi Berisha.
