Me kërkesë të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, janë konfiskuar pasuri me vlerë rreth 3 milionë euro në pronësi të shtetasit D.A., pasi nga hetimi pasuror rezultoi se ato nuk justifikoheshin nga burime të ligjshme financiare.
Vendimi u mor në kuadër të hetimit pasuror nr. 2 të vitit 2019, ku prokuroria vërtetoi se subjekti nuk kishte të ardhura të ligjshme që të justifikonin krijimin dhe regjistrimin e pasurive në emrin e tij.
Pasuritë e konfiskuara përfshijnë një numër të madh pronash të paluajtshme dhe aktivitetesh ekonomike në zona të ndryshme të qarkut Gjirokastër, konkretisht në qytetin e Gjirokastrës, Lazarat, Grehot, Arshi Lengo dhe Kordhocë.
Mes pasurive të konfiskuara janë:
- Troje me sipërfaqe të ndryshme në Gjirokastër, Lazarat, Grehot dhe Kordhocë
- Tokë bujqësore në fshatin Arshi Lengo
- Banesa dhe sipërfaqe sheshi
- Një karburant
- Ndërtesa zyrash dy-katëshe
- Lokale tregtare
- Magazina me sipërfaqe të mëdha
- Vendroje, nyje betoni dhe zona për afrimin e materialeve të ngurta
Sipas Prokurorisë, këto pasuri janë krijuar në kundërshtim me ligjin dhe nuk përputhen me të ardhurat e deklaruara nga subjekti.
Prokuroria e Gjirokastrës thekson se konfiskimi është kryer në zbatim të ligjit për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit përmes masave parandaluese kundër pasurisë, duke nënvizuar angazhimin për vijimin e hetimeve pasurore dhe goditjen e pasurimit të paligjshëm.
