Kreu i Partisë Demokratike ka ngritur akuza të rënda për atë që e cilëson si një nga grabitjet më të bujshme shtetërore, duke deklaruar se nga kantina e Ergys Agasit janë zhdukur rreth 1200 shishe vere të rralla, me vlerë totale rreth 4 milionë euro.
Sipas denoncimit, bëhet fjalë për shishe vere shumë të vjetra, disa prej tyre që datonin nga viti 1920 dhe me çmime individuale që shkonin deri në 33–40 mijë euro. Kantina ishte zbuluar pas një kontrolli të befasishëm, ku shishet rezultonin të futura kontrabandë, pa pulla fiskale.
Berisha deklaron se, në vend që mallrat të mbaheshin nën ruajtje sipas procedurave ligjore, ato janë zhvendosur me shpejtësi gjatë natës, me ndihmën e zyrtarëve të lartë të Policisë dhe Doganave. Sipas tij, vera e shtrenjtë u largua me disa kamionë, ndërsa në kantinë u lanë 1200 shishe të tjera, me etiketa të zakonshme dhe me pulla fiskale, pa vlerë të lartë tregu.
“Pra kemi të bëjmë me një vjedhje të mirëfilltë shtetërore”, deklaron Berisha, duke shtuar se operacioni është realizuar edhe me mbështetjen e personave të lidhur me krimin e organizuar.
Një tjetër detaj i rëndë i denoncimit është fakti se, sipas tij, vetë Agasi kishte vendosur në ambientet e kantinës një pllakë me emrin “Vinoteka e Edit”, duke aluduar për lidhje direkte politike në këtë aferë.
Berisha akuzon se, përmes këtij operacioni, u zhduk një pasuri e futur kontrabandë me vlerë miliona euro, ndërsa përgjegjësit u mbrojtën nga ndjekja penale. Sipas tij, rasti përfaqëson qartë mënyrën se si funksionon një shtet i kapur nga korrupsioni dhe krimi, ku institucionet përdoren për të mbuluar grabitjen e pasurive.
“Ky është narkoshteti – një sistem ku çdo hallkë punon për të mbrojtur vjedhjen”, përfundon denoncimi.
