Lulzim Basha, kreu i Demokratëve Euroatlantikë, kërkon besimin e qytetarëve për t’u shkëputur, sipas tij, nga kultura e vjetër e tranzicionit për një model të ri politik. Situatën politike në prag të zgjedhjeve parlamentare e sheh të ngarkuar, ndërsa vetë ka vendosur të kandidojë në Tiranë, duke nxjerrë në pah aleatët e tij dhe kushtin për bashkëpunim.
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë tregon ku e mori spunton përçarja e PD-së dhe çfarë mund ta bashkojë atë. Në një intervistë ekskluzive për gazeta “Panorama”, Lulzim Basha flet për ndërtimin e një rruge të re, ndërsa fton shqiptarët që të votojnë kundër Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës.
Kreu i Demokratëve Euroatlantikë shigjeton “dinozaurët” e tranzicionit dhe mbajtësit në pushtet të Edi Ramën. Kryeministrit Rama, ai i kujton se ka më shumë bashkëpunëtorë në burg se në qeveri, ndërsa për Sali Berishën dhe Ilir Metën shprehet se ka ardhur ora e llogaridhënies.
Z.Basha, politika tashmë ka hyrë në sezonin elektoral. Si e konsideroni mjedisin aktual para zgjedhjeve parlamentare dhe cila është agjenda e Demokratëve Euroatlantikë?
Në përvojën time, asnjëherë kaq pranë zgjedhjeve mjedisi politik nuk ka qenë kaq i ngarkuar. Ndërkohë që duhej që qytetarët të dëgjonin nëpër media, takime e kudo, propozimet për zgjidhjen e situatës ekonomike, se si të mbajmë dhe rikthejmë të rinj e të reja që duan ose janë larguar nga vendi; si do të krijojmë kushte për shtresën e mesme, sipërmarrësit, profesionistët dhe intelektualët të ndërtojnë jetën e tyre në Shqipëri, si do të hapim vende pune dhe të krijojmë mundësi për mirëqenien e qytetarëve tanë, nga mëngjesi deri në darkë dëgjojmë se si hallet e tre njerëzve, Edi Ramës, Sali Berishës dhe Ilir Metës u janë mbivendosur halleve të rreth 3 milionë shqiptarëve. “Dinozaurët” e tranzicionit po përpiqen të mbajnë me çdo kusht status quon.
