Takim në Majemi për Gazën, SHBA dhe aleatët angazhohen për fazën e dytë të planit të paqes

Data

Përfaqësues të Shteteve të Bashkuara, Egjiptit, Katarit dhe Turqisë u mblodhën në Majemi të Floridës për të diskutuar hapat e ardhshëm të planit të paqes për Rripin e Gazës.

Sipas një deklarate të përbashkët të publikuar nga i dërguari amerikan Steve Witkoff, takimi u përqendrua në vlerësimin e zbatimit të fazës së parë të marrëveshjes, e cila parashikonte kthimin e pengjeve të gjallë dhe dorëzimin e trupave, në këmbim të lirimit të të burgosurve palestinezë nga Izraeli.

Palët diskutuan gjithashtu përgatitjet për nisjen e fazës së dytë të planit, duke riafirmuar angazhimin e tyre për zbatimin e planit të paqes me 20 pika të propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.

“Në këtë takim u thelluan diskutimet mbi hapat e ardhshëm për zbatimin gradual të Planit Gjithëpërfshirës të Paqes për Gazën. Konsultimet do të vijojnë edhe në javët në vijim për të avancuar fazën e dytë”, thuhet në deklaratë.

Katër vendet ndërmjetësuese u bënë thirrje Izraelit dhe Hamasit të respektojnë angazhimet e marra dhe të tregojnë vetëpërmbajtje, në një kohë kur armëpushimi mbetet i brishtë.

Faza e dytë e planit parashikon çarmatimin e Hamasit, tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga territori i Gazës, krijimin e një autoriteti qeverisës kalimtar dhe vendosjen e një force ndërkombëtare sigurie.

Ndërkohë, situata në terren vijon të jetë e tensionuar. Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për shkelje të armëpushimit. Të premten, gjashtë persona humbën jetën nga një sulm izraelit ndaj një shkolle të kthyer në strehë për të zhvendosurit, sipas autoriteteve lokale.

Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se të paktën 401 palestinezë janë vrarë nga zjarri izraelit që prej hyrjes në fuqi të armëpushimit, ndërsa gjatë së njëjtës periudhë kanë humbur jetën edhe tre ushtarë izraelitë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related