Mjeku Ermal Pashaj: Protesta është reagim ndaj problemeve të përditshme dhe mungesës së perspektivës

Data

Mjeku dhe aktivisti Ermal Pashaj ka shpjeguar arsyet që e shtyjnë atë dhe mijëra qytetarë të tjerë t’i bashkohen protestës qytetare që po zhvillohet në Tiranë, e cila ka hyrë në ditën e saj të 17-të.

I ftuar në një emision televiziv, Pashaj u shpreh se qytetarët po përballen çdo ditë me vështirësi të shumta, duke nisur nga problemet më elementare të jetës së përditshme deri te mungesa e besimit tek institucionet dhe drejtësia.

Sipas tij, Shqipëria po përjeton një regres demokratik, ndërsa qytetarët hasin pengesa të vazhdueshme në përpjekjet për të ndërtuar jetën dhe të ardhmen e tyre në vend.

“Duket sikur po bëjmë regres në demokraci dhe kemi mungesë drejtësie. Në jetën e përditshme përballemi me problematika nga më të ndryshmet, që nga siguria ushqimore deri te çështjet që lidhen me zhvillimin dhe ndërtimet. Janë fenomene që kërkojnë zgjidhje dhe përgjegjësi”, u shpreh ai.

Pashaj foli edhe për fenomenin e emigracionit, duke treguar se edhe vetë kishte menduar të largohej nga Shqipëria, por kishte zgjedhur të qëndronte për arsye familjare dhe për dëshirën që fëmijët e tij të rriteshin në vendin e tyre.

“Kam menduar të largohem, por dua që fëmijët e mi të rriten këtu dhe të kenë një të ardhme në Shqipëri. Largimi masiv i të rinjve është një tragjedi që po prek çdo familje shqiptare”, tha ai.

Mjeku theksoi se protesta përfaqëson një reagim qytetar ndaj problemeve të akumuluara ndër vite dhe një kërkesë për më shumë mundësi, drejtësi dhe perspektivë për brezat e rinj.

Në përfundim, ai vlerësoi rolin e rinisë në protestë, duke theksuar se të rinjtë shqiptarë janë të informuar dhe të ndërgjegjshëm për sfidat me të cilat përballet vendi.

“Kësaj rinie nuk mund t’i hidhet hi syve. Ajo e kupton realitetin dhe kërkon ndryshim”, përfundoi Pashaj.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related