Zhvillimet në Rripin e Gazës pritet të hyjnë në një fazë vendimtare, teksa Presidenti i SHBA-së Donald Trump përgatitet të presë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu në Florida, në ditët në vijim. Takimi vjen në një moment kritik për armëpushimin e brishtë dhe për të ardhmen politike e ushtarake të enklavës palestineze.
Paraprakisht, më vonë gjatë ditës së sotme, në Florida do të zhvillohet një takim i rëndësishëm mes zyrtarëve amerikanë, katarë, egjiptianë dhe turq, ku do të diskutohen hapat e mëtejshëm në Gaza. Uashingtoni do të përfaqësohet nga i dërguari special i presidentit amerikan, Steve Witkoff, konfirmoi një burim nga administrata Trump për AFP.
Presidenti amerikan pranoi publikisht se takimi me Netanyahun është në prag realizimi.
“Nuk e kemi planifikuar zyrtarisht ende, por z. Netanyahu dëshiron të më takojë. Ai ndoshta do të vijë të më takojë në Florida,” deklaroi Trump, duke shtuar se do t’i kalojë festat e fundvitit në rezidencën e tij Mar-a-Lago.
Gaza dhe plani për fazën e dytë
Katari dhe Egjipti, dy vendet ndërmjetëse kryesore dhe garantuese të armëpushimit në Gaza, kanë bërë thirrje për zbatimin e planit amerikan për kalimin në fazën e dytë. Ky plan përfshin:
- Çarmatimin e Hamasit – një opsion që lëvizja islamiste palestineze e ka refuzuar hapur;
- Tërheqjen graduale të ushtrisë izraelite nga e gjithë enklava;
- Krijimin e autoriteteve kalimtare në Gaza;
- Vendosjen e një force ndërkombëtare “stabilizimi”.
Armëpushimi mes Izraelit dhe Hamasit, i cili hyri në fuqi më 10 tetor, mbetet tejet i brishtë, me akuza të ndërsjella për shkelje të marrëveshjes dhe me situatën humanitare në Gaza që vazhdon të jetë kritike.
Megjithatë, Donald Trump u shpreh optimist, duke deklaruar të mërkurën se kishte rivendosur paqen në Lindjen e Mesme “për herë të parë në tre mijë vjet”, një deklaratë që ka nxitur reagime të shumta në arenën ndërkombëtare.
Roli i Turqisë
Turqia do të përfaqësohet në bisedime nga ministri i Jashtëm Hakan Fidan. Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, në një fjalim të fundit, theksoi se Ankaraja mbetet “vendosmërisht në anën e palestinezëve”, duke riafirmuar pozicionin e Turqisë në këtë konflikt.
Takimi i pritshëm Trump–Netanyahu shihet si një moment kyç diplomatik, që mund të përcaktojë rrjedhën e konfliktit në Gaza dhe balancat politike në Lindjen e Mesme në muajt në vijim.
