Mijëra qytetarë bullgarë kanë dalë të enjten mbrëma në rrugë, duke protestuar kundër qeverisë në largim dhe duke kërkuar zgjedhje të ndershme dhe reformë të thellë të sistemit gjyqësor, në përpjekje për të luftuar atë që ata e cilësojnë si korrupsion endemik në vendin më të varfër të Bashkimit Evropian.
Demonstratat u zhvilluan në kryeqytetin Sofje dhe në disa qytete të tjera të Bullgarisë, në një moment delikat politik dhe ekonomik, ndërsa vendi përgatitet të miratojë euron më 1 janar.
Qeveria në largim, e cila mori pushtetin në janar, kishte hartuar planet për kalimin në monedhën e përbashkët europiane. Megjithatë, kryeministri Rosen Zhelyaskov dha dorëheqjen javën e kaluar, pas javësh të tëra protestash kundër korrupsionit dhe kundër një plani buxhetor të kontestuar, që parashikonte rritje taksash dhe kontributesh të sigurimeve shoqërore.
Protestuesit shprehën hapur zemërimin e tyre ndaj elitës politike.
“Çdo gjë në lidhje me këtë qeveri është e paturpshme. Sjellja arrogante e karakterizon këtë qeveri,” deklaroi Shisman Nikolov, 48 vjeç, duke shtuar se shoqëria nuk respekton politikanët që e shohin veten mbi qytetarët.
Edhe të rinjtë iu bashkuan protestës. Kalina Yurukova, studente 21-vjeçare, u shpreh se arroganca dhe mungesa e ndjeshmërisë kanë larguar qytetarët nga pushteti:
“Kur vjedh gjatë gjithë kohës, ndoshta mendon se je mbi të gjithë. Për njerëz të tillë nuk mund të kem respekt.”
Ndërkohë, Presidenti bullgar Rumen Radev ka nisur konsultime me partitë politike për formimin e një qeverie të re. Në rast se bisedimet dështojnë, ai pritet të emërojë një kryeministër të përkohshëm dhe të shpallë zgjedhje të reja.
Bullgaria ndodhet prej vitesh në një krizë të thellë politike, duke zhvilluar shtatë zgjedhje në vetëm katër vitet e fundit, pa arritur të krijojë një qeveri që të përfundojë mandatin e saj të plotë.
Protestat e fundit tregojnë se pakënaqësia qytetare ka arritur kulmin, ndërsa presioni për reforma reale në drejtësi dhe luftë kundër korrupsionit po bëhet gjithnjë e më i fortë, në një moment kyç për të ardhmen europiane të Bullgarisë.
