Situata në bashkinë Mirditë mbetet shqetësuese pas reshjeve të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar rrëshqitje dherash dhe gërryerje të theksuar të tokës në disa zona.
Si pasojë e vazhdimit të gërryerjes së tokës bujqësore në zonën Zall–Donaj nga Lumi Fan i Vogël, rreth mesnatës janë rrëzuar sërish shtyllat elektrike të tensionit të mesëm. Këto shtylla ishin spostuar vetëm një ditë më parë nga OSHEE, por gërryerja e tokës ka avancuar përtej vendit të ri të vendosjes, duke i shembur përsëri.
Si pasojë, kanë mbetur pa energji elektrike disa fshatra, përfshirë Ndërfanë, Gëziq, Kalanjan dhe Cekaj. Situata konsiderohet alarmante, pasi avancimi i rrëshqitjes po shkon drejt rrugës së fshatit dhe banesave, duke rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe pronën e banorëve.
Autoritetet vendore kanë kërkuar ndërhyrje urgjente dhe mbështetje nga Ministria e Bujqësisë përmes mjeteve të DRUK Lezhë, sipas kërkesës së dërguar më herët, ku është vënë në dijeni edhe Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile.
Një tjetër problem serioz raportohet në fshatin Jezull, ku nga gërryerjet e përroit është zbuluar tubacioni kryesor i ujësjellësit që furnizon qytetin e Rrëshenit dhe zonat përreth. Ekziston rreziku i këputjes së tubacionit, ndërsa me avancimin e mëtejshëm të rrëshqitjes, rrezikohet edhe shembja e aksit rrugor që lidh disa fshatra.
Nga verifikimet e kryera nga strukturat e emergjencave civile të bashkisë Mirditë, në disa fshatra janë konstatuar rrëshqitje toke që paraqesin rrezik për banesa dhe prona private.
Ndërkohë, nga bashkitë Kurbin dhe Lezhë raportohet se situata paraqitet më e qetë krahasuar me ditët e kaluara. Në Kurbin ka pasur përmirësim të dukshëm në zonat e përmbytura, ndërsa po vijon evadimi i ujërave dhe verifikimi i dëmeve, kryesisht në fshatin Adriatik. Në Lezhë vijon monitorimi i territorit dhe puna për përforcimin e argjinaturës së lumit Drin në zonën e Ishull Shëngjinit.
Pavarësisht përmirësimit në disa bashki, fenomeni i rrëshqitjes së tokës mbetet problematik në të gjitha zonat kodrinore dhe malore të qarkut, ndërsa autoritetet vijojnë të jenë në gatishmëri për përballimin e situatës.
