SPAK ashpërson qëndrimin: Rëndohen pozitat e Belinda Ballukut, në hetim edhe një koncension – rrezik real për prishjen e provave!

Data

Rëndohen ndjeshëm pozitat e zëvendëskryeministres dhe ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, teksa janë zbardhur argumentet zyrtare të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) drejtuar Kuvendit të Shqipërisë, ku kërkohet heqja e imunitetit dhe arrestimi i saj.

Sipas dokumentit të siguruar nga gazetarja Klodiana Lala, SPAK argumenton se nevojat e sigurimit janë rënduar, për shkak të një rreziku real që Balluku, në gjendje të lirë, mund të prishë ose manipulojë provat, të ndikojë tek dëshmitarët, si dhe të kryejë vepra penale të tjera të ngjashme.

Prokuroria e Posaçme thekson se, përveç hetimeve të njohura për tenderin e Tunelit të Llogarasë dhe Unazën e Madhe, janë hapur edhe hetime të reja ndaj Ballukut. Këto lidhen me procedura të tjera prokurimi, si dhe me veprimet e saj në një procedurë koncensioni, çka e zgjeron ndjeshëm rrethin e dyshimeve penale.

“Po kryhen hetime për fakte penale të tjera në ngarkim të kësaj shtetaseje në lidhje me disa procedura prokurimi të tjera, si dhe po hetohen veprimet e saj në një procedurë koncensioni”, thuhet në kërkesën zyrtare të SPAK drejtuar Kuvendit.

Një nga arsyet kryesore për kërkesën e arrestimit, sipas SPAK, lidhet me rrezikun e prishjes ose asgjësimit të provave. Prokuroria nënvizon se gjatë hetimit po administrohen vazhdimisht dokumente nga institucione të ndryshme, ndërsa dokumentacioni kryesor ndodhet pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, institucion që drejtohet nga vetë Balluku.

Po ashtu, SPAK bën me dije se janë duke u marrë në pyetje dëshmitarë të shumtë, përfshirë zyrtarë dhe vartës të drejtpërdrejtë të ministres. Kjo, sipas prokurorisë, e bën gjendjen e saj të lirë një rrezik serioz për mbledhjen dhe vërtetësinë e provave.

“Gjendja e lirë e të pandehurës paraqet rrezik real në mbledhjen e provave, për shkak të detyrës dhe funksionit që ushtron si zëvendëskryeministër dhe ministre. Ekziston mundësia që ajo të ndërhyjë në prishjen ose asgjësimin e provave. Është evident fakti që tashmë e pandehura ka bërë përpjekje për të ndikuar tek dëshmitarët”, thekson SPAK në argumentimin e tij.

Prokuroria shpreh gjithashtu shqetësim për rrezikun e largimit të Ballukut, duke e lidhur këtë me marzhin e lartë të dënimit të parashikuar nga ligji dhe me faktin se ajo dyshohet se i ka kryer veprat penale disa herë dhe në bashkëpunim.

“Ekziston rreziku i largimit të të pandehurës, si dhe rreziku që ajo të kryejë krime të të njëjtit lloj me ato për të cilat po procedohet”, thuhet më tej në dokument.

Në përfundim, SPAK vlerëson se janë plotësuar të gjitha kriteret ligjore për zëvendësimin e masave të sigurimit, duke i hapur rrugë një vendimmarrjeje të fortë nga Kuvendi.

Çështja Balluku pritet të shkaktojë tronditje të forta politike dhe institucionale, ndërsa vendimi i Kuvendit do të jetë përcaktues për zhvillimet e mëtejshme në një nga hetimet më të ndjeshme të viteve të fundit.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related