Ora e vendimit për Ballukun: SPAK kërkon heqjen e imunitetit dhe arrestimin, sot mblidhet Këshilli i Mandateve!

Data

Tension i lartë politik dhe institucional këtë të premte në Tiranë. Këshilli për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin mblidhet sot, 19 dhjetor, për të shqyrtuar kërkesën zyrtare të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për heqjen e imunitetit dhe autorizimin e arrestimit të zëvendëskryeministres, ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë dhe deputetes Belinda Balluku.

Kërkesa e SPAK përbën një nga lëvizjet më të forta të drejtësisë së posaçme ndaj një funksionari të nivelit të lartë dhe i hap rrugë vendosjes së masave të rënda të sigurisë, si “arrest në burg” ose “arrest në shtëpi”, si dhe kontrolleve personale apo të banesës.

Si funksionon procedura në Kuvend?

Procedura rregullohet nga nenet 118 dhe 119 të Rregullores së Kuvendit. Kërkesa i është paraqitur Kryetarit të Kuvendit nga SPAK, i cili e ka përcjellë për shqyrtim në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, duke vënë njëkohësisht në dijeni edhe deputeten Belinda Balluku.

Balluku ka të drejtë të paraqesë shpjegime me shkrim ose me gojë, të përfaqësohet nga avokat, si dhe të kërkojë sqarime për ushtrimin e së drejtës së mbrojtjes.

Brenda dy javëve, Këshilli duhet të hartojë një raport për seancën plenare, ku rekomandon miratimin ose rrëzimin e kërkesës për arrestim apo masa të tjera sigurie. Vendimi final merret nga Kuvendi me votim të hapur. Nëse Kuvendi nuk shprehet brenda 3 muajve, kërkesa konsiderohet e rrëzuar automatikisht.

Akuzat e SPAK ndaj Ballukut

Sipas njoftimit zyrtar të SPAK, Belinda Balluku është marrë e pandehur për veprën penale:

“Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në bashkëpunim, në lidhje me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë.

Po ashtu, ajo ka marrë statusin person nën hetim për dyshime të së njëjtës vepër penale në shtatë procedura të tjera prokurimi, mes tyre projektet madhore të Sheshit Shqiponja, Bulevardit të Ri dhe Unazës së Jashtme të Tiranës (Lotet 4–7).

SPAK argumenton se heqja e imunitetit është e domosdoshme për procedimin e mëtejshëm ligjor, duke iu referuar Kushtetutës, Kodit të Procedurës Penale dhe Rregullores së Kuvendit.

Një ditë vendimtare

Vendimmarrja e sotme e Këshillit të Mandateve pritet të jetë përcaktuese për fatin politik dhe penal të një prej figurave më të rëndësishme të qeverisë. Çështja Balluku tashmë ka kaluar nga debati politik në një provë të fortë për raportin mes drejtësisë dhe pushtetit, ndërsa sytë janë kthyer nga Kuvendi dhe hapat që do të ndërmerren në orët dhe ditët në vijim.

19 dhjetori mund të shënojë një pikë kthese të fortë në historinë e hetimeve të SPAK ndaj zyrtarëve të lartë shtetërorë.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related