Shqiptarët “pushtojnë” Italinë: Komuniteti i dytë më i madh i huaj me mbi gjysmë milioni banorë!

Data

Shqiptarët vijojnë të jenë një nga komunitetet më të mëdha dhe më të konsoliduara të huaja në Itali. Sipas të dhënave më të fundit të publikuara nga Eurostat, ata renditen të dytët pas rumunëve për nga numri i popullsisë së huaj që jeton në shtetin fqinj.

Për vitin 2024, në Itali rezultojnë të regjistruar 557 mijë persona të lindur fizikisht në Shqipëri, pavarësisht shtetësisë që ata mbajnë aktualisht. Krahasuar me një vit më parë, ky numër është rritur me rreth 20 mijë persona, një tregues i qartë i vijimit të emigracionit dhe i rrënjosjes së fortë të komunitetit shqiptar në Itali.

Sipas Eurostat, të lindurit në Shqipëri përbëjnë 8.3% të gjithë komunitetit të huaj në Itali, duke u renditur menjëherë pas rumunëve, të cilët kryesojnë listën me rreth 900 mijë persona, ose 13.5% të totalit.

Një fakt domethënës është se një pjesë e konsiderueshme e shqiptarëve të lindur në Shqipëri janë natyralizuar si shtetas italianë. Të dhënat tregojnë se numri i personave me shtetësi shqiptare që jetojnë në Itali është 419 mijë, çka krijon një diferencë prej rreth 141 mijë personash. Kjo diferencë përfshin shqiptarë që kanë marrë shtetësi italiane, persona të lindur jashtë Shqipërisë me shtetësi shqiptare, si dhe emigrantë që jetojnë jashtë vendit pa u natyralizuar.

Italia rezulton të jetë i vetmi shtet ku shqiptarët shfaqen në tabelën e Eurostat mes 5 komuniteteve kryesore sipas shtetësisë dhe vendit të lindjes së popullsisë së huaj. Ndërkohë, mungojnë të dhëna për vende me komunitete të mëdha shqiptare si Greqia, Gjermania, Franca dhe Spanja.

Nga shtetet e tjera europiane ku ka statistika zyrtare, rezulton se në Belgjikë jetojnë rreth 15.6 mijë persona të lindur në Shqipëri, në Suedi 10.4 mijë, në Austri rreth 7 mijë, në Holandë 4 mijë dhe në Turqi rreth 3.5 mijë. Ndërkohë, në Slloveni, Kosova renditet si komuniteti i katërt më i madh i të huajve, me rreth 30 mijë persona të lindur në Kosovë.

Emigrantët në Europë

Sipas Eurostat, më 1 janar 2024, në vendet e Bashkimit Europian jetonin 44.7 milionë persona të lindur jashtë BE-së, që përfaqësojnë 9.9% të popullsisë totale së Unionit. Ky numër është rritur me 2.3 milionë persona krahasuar me një vit më parë.

Po ashtu, 17.9 milionë persona që jetojnë në BE janë të lindur në një vend tjetër anëtar të Bashkimit, duke shënuar një rritje prej 0.2 milionë krahasuar me vitin e kaluar.

Në shifra absolute, numri më i madh i popullsisë së lindur jashtë vendit regjistrohet në Gjermani (16.9 milionë), e ndjekur nga Franca (9.3 milionë), Spanja (8.8 milionë) dhe Italia (6.7 milionë). Këto katër vende përqendrojnë 66.6% të gjithë popullsisë së lindur jashtë vendit në BE, ndërkohë që përbëjnë 57.8% të popullsisë totale të Unionit.

Në raport me popullsinë totale, peshën më të lartë të banorëve të lindur jashtë vendit e ka Luksemburgu (51%), i ndjekur nga Malta, Qipro, Irlanda, Austria, Suedia dhe Gjermania. Në krahun tjetër, vendet me përqindjen më të ulët janë Polonia, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia, me më pak se 5%.

Shifrat flasin qartë: shqiptarët janë tashmë një faktor i rëndësishëm demografik dhe social në Itali, duke dëshmuar ndikimin dhe praninë e tyre të fortë në zemër të Europës.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related