Qeveria britanike ka vendosur rregulla të reja për hyrjen në Mbretërinë e Bashkuar, duke prekur veçanërisht shtetasit me shtetësi të dyfishtë. Nga 25 shkurti, të gjithë personat me pasaportë britanike dhe një shtetësi tjetër do të duhet të paraqesin një dokument të vlefshëm britanik për të hyrë në vend.
Sipas njoftimit të Ministrisë së Brendshme, ndryshimi lidhet me sistemin e ri të autorizimit elektronik të udhëtimit (ETA), i cili do të zbatohet për shumicën e vizitorëve që hyjnë në Mbretërinë e Bashkuar për qëndrime të shkurtra. Shtetasit britanikë dhe irlandezë përjashtohen nga aplikimi për ETA, por ata me shtetësi të dyfishtë duhet të provojnë statusin e tyre me pasaportë britanike.
Në rast se udhëtojnë vetëm me pasaportën e shtetësisë së dytë, rrezikojnë të mos lejohen të hipin në avion, traget apo tren drejt Britanisë. Alternativa e vetme në këtë rast është pajisja me një “certifikatë të së drejtës”, një dokument shtesë me kosto të lartë, i cili duhet të bashkëngjitet në pasaportën tjetër.
Autoritetet britanike theksojnë se masa synon të forcojë kontrollin kufitar dhe të unifikojë procedurat e hyrjes në vend. Ndërkohë, shumë qytetarë që jetojnë jashtë Mbretërisë së Bashkuar kanë shprehur shqetësim për ndikimin e menjëhershëm të këtij ndryshimi dhe kostot shtesë që ai mund të sjellë.
