E shiste kokainën pranë varrezave për të mos rënë në sy: Arrestohet 22-vjeçari shqiptar në Itali, pritet dëbimi i menjëhershëm!

Data

Një 22-vjeçar shqiptar ka rënë në prangat e karabinierëve të Ankonës, pasi ishte përfshirë në trafikun dhe shpërndarjen e kokainës në territorin italian. Operacioni policor u zhvillua mbrëmjen e 18 dhjetorit 2025, duke çuar në goditjen e aktivitetit të paligjshëm që i riu kishte ndërtuar me kujdes për t’iu shmangur forcave të rendit.

Aksioni u krye në zonën përreth varrezave të Filottranos, një vend që sipas hetimeve përdorej qëllimisht nga 22-vjeçari për të zhvilluar “biznesin” e drogës, me idenë se do të binte më pak në sy të patrullave policore. Lëvizjet e tij të dyshimta nuk i shpëtuan karabinierëve, të cilët e kapën në flagrancë, menjëherë pasi kishte shitur dozën e radhës një përdoruesi.

Shqiptari, i cili banonte në zonën e Jesi-t dhe nuk kishte precedentë penalë të mëparshëm, u ndalua me një dozë kokaine prej 0.7 gramësh, e sapo shitur. Pas arrestimit, oficerët, të drejtuar nga komandanti i Kompanisë së Osimos, Gianluca Giglio, ushtruan kontroll në banesën e tij.

Gjatë kontrollit, u gjetën dhe sekuestruan 14 gramë të tjera kokainë, materiale të dyshuara për paketimin e dozave, si dhe rreth 3,700 euro para të gatshme, të konsideruara si fitime nga aktiviteti i paligjshëm i trafikimit të drogës, bëjnë me dije mediat italiane.

I riu u shoqërua në kazermat e Osimos për veprime të mëtejshme procedurale dhe pritet të dalë përpara Gjykatës së Ankonës. Sipas autoriteteve, ndaj tij pritet dënimi penal dhe dëbimi i menjëhershëm drejt Shqipërisë.

Rasti vjen si pjesë e kontrolleve të shtuara të policisë italiane kundër trafikut të lëndëve narkotike dhe shërben si sinjal i fortë se autoritetet po intensifikojnë goditjet ndaj rrjeteve të shpërndarjes, pavarësisht metodave që përdorin për t’u fshehur.

Shperndaje

Me te klikuar kete jave

Te ngjashme
Related