Prokuroria e Posaçme (SPAK) po thellon hetimet ndaj zv/kryeministres Belinda Balluku, duke u fokusuar tashmë jo vetëm te procedurat e dyshuara të tenderimit, por edhe te gjurmimi i flukseve financiare dhe transfertave të parave jashtë Shqipërisë.
Sipas burimeve hetimore, prokurorët e SPAK janë duke verifikuar transferta financiare të kryera nga kompania “4 A-M” drejt llogarive jashtë vendit, ndërsa po hetohet nëse këto lëvizje parash kanë lidhje direkte apo indirekte me Ballukun. Hetimet janë ende në fazë aktive dhe nuk ka ende konkluzione përfundimtare.
Nga kompani modeste në “gjigant” të fondeve publike
Kompania 4 A-M, në pronësi të Ardit Metaliajt dhe vëllezërve të tij, rezultonte në vitin 2012 një ndërmarrje relativisht e vogël, me një xhiro rreth 3.3 milionë euro. Në atë periudhë, ajo perceptohej si e afërt me radhët e Partisë Demokratike, për shkak të origjinës së pronarëve nga Tropoja.
Por situata ndryshoi rrënjësisht pas ardhjes së socialistëve në pushtet. Zanafilla e rritjes së vrullshme të kompanisë lidhet me Albcontrol, institucion që në vitet 2014–2015 drejtohej nga vetë Belinda Balluku. Pikërisht në këtë periudhë, 4 A-M përfitoi disa kontrata të rëndësishme publike, që sipas hetuesve konsiderohen si pikënisja e një marrëdhënieje të privilegjuar.
Rritje eksponenciale pas emërimit të Ballukut ministre
Në vitin 2018, xhiroja e 4 A-M arriti në 20 milionë euro. Në janar 2019, Balluku u emërua ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe rritja e kompanisë u përshpejtua ndjeshëm.
- 2020: 30 milionë euro qarkullim
- 2021: 43 milionë euro
- 2022–2024: rreth 50 milionë euro në vit
Pjesa më e madhe e këtyre fondeve, sipas dokumenteve, vinin nga Autoriteti Rrugor Shqiptar (ARRSH), KESH dhe OSHEE, tre institucione që janë në varësi direkte të ministrisë së drejtuar nga Balluku.
“Treshja e artë” e tenderëve
Në sektorin e ndërtimit dhe infrastrukturës qarkullonte prej vitesh ideja e ekzistencës së disa kompanive të preferuara në Ministrinë e Infrastrukturës. Sipas burimeve dhe analizave, bëhet fjalë për:
- 4 A-M (Metaliajt)
- 2T (Sakot)
- Alko Impex
Këto tre kompani, të marra së bashku, kanë arritur të qarkullojnë deri në 130 milionë euro në vit, një rritje që përkon drejtpërdrejt me konsolidimin e pushtetit të Ballukut në qeveri.
Tenderët e Unazës së Madhe në qendër të hetimit
Jo rastësisht, të treja kompanitë rezultojnë fituese në tenderët e Unazës së Madhe të Tiranës, për të cilët SPAK ka njoftuar se Balluku është marrë zyrtarisht nën hetim.
- 4 A-M, në bashkëpunim me Ed Konstruksion dhe IDK Konstruksion, fitoi lotin e dytë me vlerë 25 milionë euro
- 2T dhe Alko Impex siguruan lotin e shtatë, me vlerë 23.5 milionë euro
Sipas SPAK, këto procedura dyshohen se janë zhvilluar me tendera fiktivë dhe të paracaktuar, duke favorizuar operatorë të caktuar.
Gjurmimi i parave, pista kryesore e hetimit
Ndërsa SPAK ka kërkuar në Kuvend heqjen e imunitetit dhe autorizimin për arrestimin e Belinda Ballukut, një nga pistat kryesore të hetimit mbetet ndjekja e flukseve financiare, përfshirë transfertat e dyshimta jashtë vendit të kryera nga kompani që përfituan kontrata të mëdha publike.
Hetimet vijojnë, ndërsa çështja pritet të shndërrohet në një nga testet më të forta për raportin mes politikës dhe drejtësisë në Shqipëri.
