Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Ervin Salianji, zhvilloi sot takimin e radhës me demokratët në Elbasan, ku në sallën e mbushur plot ra në sy pjesëmarrja e gjerë e të rinjve, të cilët kërkuan më shumë përfaqësim dhe ndryshim real brenda partisë.
Mes tyre ishte edhe Arbër Kola, anëtar i Forumit Rinor të Partisë Demokratike (FRPD), i cili mbajti një fjalim kritik nga podiumi, duke apeluar që zëri i rinisë të dëgjohet realisht dhe jo të përdoret si fasadë politike.
Kola shprehu mbështetjen për Ervin Salianjin, duke theksuar se vetëm brezi i ri demokrat mund ta largojë qeverinë aktuale, ndërsa hodhi kritika të forta ndaj zhvillimeve të brendshme në PD ndër vite.
Ai u ndal te Foltorja e vitit 2021 dhe Kuvendi i atij viti, duke thënë se premtimet e dhëna nuk u mbajtën dhe se proceset e brendshme kanë qenë të dështuara, përfshirë edhe zgjedhjet në FRPD dhe primaret për zgjedhjet e 11 majit 2025.
“Rasti i fundit ishte zgjedhja e kryetarit të FRPD-së, ku u zgjodh një person që nuk kishte as moshën e duhur. Proceset ishin të paprecedenta dhe larg çdo standardi”, deklaroi Kola.
Sipas tij, Partia Demokratike nuk mund të fokusohet vetëm tek kritikat ndaj Edi Ramës, pa reflektuar më parë për problemet e brendshme.
“Të gjithë thonë Rama është i keq, vjedh dhe manipulon. Dakord, por çfarë kemi bërë ne ndryshe? A kemi dhënë një alternativë reale përballë qytetarëve?”, u shpreh ai.
Kola theksoi se Rama mposhtet vetëm me të kundërtën e tij: me ndryshim, ide të reja dhe fytyra të reja, duke shtuar se sistemi aktual i manipulimit të zgjedhjeve nuk mund të thyhet pa një reformim të thellë të opozitës.
Në fund të fjalës së tij, anëtari i FRPD-së shpjegoi edhe arsyen pse ishte i pranishëm në këtë takim.
“Jam këtu për të njëjtën arsye si në shtator 2021: për ndryshimin real në PD. Zëri i të rinjve duhet të jetë gur themeli, jo dekor. Ne jemi partia e studentëve dhe është fatkeqësi që përfundojmë duke ricikluar figura që nuk japin më”, tha Kola.
Ai theksoi se misioni i brezit të ri është qëndrimi në Shqipëri, dhe se ky mision realizohet vetëm përmes largimit të Edi Ramës, gjë që sipas tij nuk arrihet pa një lëvizje të re politike.
“Kjo sallë e mbushur me rini më jep besimin se nga këtu nis një lëvizje që do të përhapet në gjithë Shqipërinë”, përfundoi Kola.
