Kandidati më i votuar i Partisë Demokratike nga lista e hapur në qarkun e Durrësit në zgjedhjet e 11 majit, Ndrec Pjetri, ka mbajtur një fjalim kritik gjatë takimit të zhvilluar nga Ervin Salianji me demokratët në Elbasan.
Në fjalën e tij, Pjetri kritikoi ashpër lidershipin aktual të PD-së, duke theksuar mungesën e analizës pas humbjes së zgjedhjeve dhe reagimin e dobët përballë skandaleve qeveritare.
“Pas zgjedhjeve të 11 majit, minimumi që duhej të bënte PD ishte analiza. Kjo nuk ndodhi”, u shpreh Pjetri.
Ai theksoi se rezultati i zgjedhjeve tregoi qartë se Partia Demokratike duhet të përfaqësohet nga fytyra të reja, pasi kandidatët e rinj thyen rekord votash krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, por sipas tij, lidershipi nuk reflektoi dhe vazhdoi me të njëjtat figura.
“Ne sot nuk funksionojmë më si parti politike. Kemi një lidership që denoncimet i bën në Facebook”, deklaroi ai.
Ndrec Pjetri denoncoi gjithashtu faktin se drejtuesit e PD-së kanë sulmuar demokratët e thjeshtë, të cilët kanë marrë pjesë në takimet e fundit me Ervin Salianjin, duke i akuzuar padrejtësisht se kanë punuar për Partinë Socialiste gjatë fushatës.
“Para pak ditësh, në Durrës u zhvillua takimi i parë me bazën e PD-së, i iniciuar nga Ervin Salianji, i vetmi i dënuar politik në këto 35 vite, i shoqëruar nga Ilir Alimehmeti, Aulon Kalaja dhe unë. Në vend që të përgëzoheshim, u sulmuam. Më e keqja, u sulmuan demokratët e thjeshtë dhe u akuzuan se kanë punuar për PS”, tha Pjetri.
Ai garantoi publikisht se demokratët e përfshirë në këto takime kanë qenë pjesë aktive e fushatave të PD-së që prej vitit 2013 dhe se akuzat ndaj tyre janë të pavërteta dhe përçarëse.
Në përfundim, Ndrec Pjetri theksoi se ringritja e Partisë Demokratike është një mision urgjent, duke shtuar se një PD e reformuar dhe e bashkuar mund të rrëzojë qeverinë brenda pak muajsh.
“Ne kemi një mision: ringritjen e PD-së. Dhe një PD e ringritur nuk ka nevojë për më shumë se gjashtë muaj për të rrëzuar këtë qeveri”, përfundoi ai.
